Presidenti Ilir Meta u ka dërguar një tjetër mesash qytetarëve shqiptarë mëngjesin e sotëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se “është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës”.
Teksa ka shpërndarë një video nga emisioni “Opinion”, Meta u bën thirrje qytetarëve që në manifestimin e 2 marsit të mbrojë shqiptarët, nga ata që Presidenti i quan pengmarrës të pushtetit.
Postimi i Metës
Çdo qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë pushtet i venë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve anti-kushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit. Është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës. Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër.
#PërKushtetutën🇦🇱 #PërRepublikën🇦🇱 #PërShqipërinë🇦🇱 #PërKombin🇦🇱/ Opinion.al