NJË SUGJERIM PËR MINISTREN E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË!
FTESË PËR DEBAT PËR KOLEGËT PROFESORË!
Prof.Asoc.Dr. Edmond Hoxha
Universiteti Politeknik i Tiranës
Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave
E nderuar znj. Ministre!
Me urdhërin Tuaj Nr.8, të datës 14.01.2020 është shpallur fillimi i proçesit zgjedhor, për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë. Në këtë kuadër shumë Fakultete kanë filluar të përgatisin Rregulloret e tyre. Gjatë proçesit të hartimit të rregullores jemi ndeshur me një mungesë dhe paqartësi në Ligjin e Arsimit të Lartë, lidhur me rolin dhe funksionimin e Asamblesë së Personelit Akademik.
Mendoj që kjo çështje është e një ndjeshmërie dhe rëndësie të lartë për Universitetet dhe për këtë arsye vendosa T’iu shkruaj publikisht.
Në nenin 41 të Ligjit Nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqiperisë” thuhet:
Neni 41
Asambleja e personelit akademik
- Asambleja e personelit akademik përbëhet nga personeli akademik me kohë të plotë i njësive kryesore.
- Asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore në institucionet e arsimit të lartë ka këto funksione:
a) zgjedh rektorin e institucionit në institucionet publike të arsimit të lartë;
b) zgjedh anëtarët e Senatit Akademik në institucionet publike të arsimit të lartë;
c) zgjedh drejtuesin e njësisë kryesore në institucionet publike të arsimit të lartë;
ç) krijon dhe zgjedh anëtarët e komisioneve të përhershme të njësisë kryesore. - Asambleja e personelit akademik mund të ushtrojë edhe kompetenca të tjera, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
Ashtu si duket qartë, ky Nen përcakton vetëm funksionet, që edhe ato nuk janë të plota, por nuk përcakton azgjë lidhur me mënyrën e funksionimit të Asamblesë.
Kjo paqartësi dhe mungesë në ligj, ka krijuar hapësirë për interpretime të ndryshme. Praktikisht gjatë procesit të hartimit të Rregullores jemi ballafaquar me dy mendime:
- Mendimi i parë: Meqënëse, sipas Nenit 36 të Ligjit, Asambleja është Organ Akademik, i cili nuk pushon së egzistuari me mbarimin e zgjedhjeve, propozohet që kjo Asamble të drejtohet nga një Kryetar, i cili zgjidhet nga vetë Asambleja. Ky mendim përputhet me mënyrën demokratike të drejtimit të Universitetit, ku pushtetet ndahen, balancohen dhe ku të gjithë përfshihen në vendimarrje.
- Mendimi i dytë: Nga ana tjetër, kërkohet që drejtimi i Asamblesë të bëhet nga Dekani i Fakultetit. Ky mendim i përket mënyrës së centralizuar të drejtimit të fakultetit, ku të gjitha pushtetet, Asambleja dhe Dekanati, përqëndrohen tek një person i vetëm, ne rastin konkret tek Dekani i Fakultetit.
Personalisht jam kundër drejtimit të centralizuar dhe mbështes mënyrën demokratike të drejtimit të fakultetit duke e argumentuar si më poshtë:
- Së pari; Unë mendoj se ne duhet të forcojmë dhe zgjerojmë bazat e demokracisë në drejtimin e Universitetit dhe jo ti ngushtojmë ato, nëpërmjet grumbullimit të të gjitha kompetencave tek një person. Kompetencat duhet të shpërndahen në të gjitha organet akademike dhe ato kolegjiale të Fakultetit. Në rastin kur propozohet që Dekani të jetë edhe Drejtues i Asamblesë kthehemi në rastin e pushtetit të një personi gjë që është e papranueshme.
- Së dyti; Nëse Asambleja e Personelit Akademik, drejtohet nga Dekani, qoftë edhe për organizimin e mbledhjeve, kjo Asamble nuk është më e pavarur.
- Së treti; Dekani është Autoritet Drejtues akademik, i zgjedhur nga Asambleja e Personelit Akademik. Në këto kushte Dekani nuk mund të drejtojë Organin Akademik që e ka zgjedhur atë. Në mënyrë të llogjikshme Dekani duhet të raportojë përpara Asamblesë dhe jo ta drejtojë atë. Në kuptimin më të thjeshtë, i zgjedhuri duhet të raportojë tek zgjedhësit e vet.
- Së katërti: Sipas Nenit 42 të Ligjit Nr.80/2015 “Drejtuesi i njësisë kryesore”, Pika 2, “…Ai koordinon veprimtarinë e njësive bazë dhe organeve kolegjiale të njësisë kryesore dhe zgjidh mosmarrveshjet ndërmjet tyre”. Pra, nuk është detyra e Dekanit të drejtojë Asamblenë e Personelit Akademik, por në rastin më të mirë të koordinojë veprimet me të;
- Së pesti: Drejtimi i Asamblesë nga ana e Dekanit është në konflikt të pastër interesi, sepse Dekani drejton Dekanatin, dhe nëse Drejton edhe Asamblenë Akademike, i ngelet që të drejtojë edhe Këshillin e Profesorëve dhe mbyllet cikli i drejtimit.
- Së gjashti: Analogjia që përmendet nga disa kolegë, ku Senati i Universitetit drejtohet nga Rektori, nuk vlen në rastin e Drejtuesit të Asamblesë Akademike, sepse Rektorin nuk e zgjedh Senati, por ashtu si edhe Senati, Rektori zgjidhet nga të gjitha Asambletë Akademike, pra ka një status më të lartë zgjedhor, kurse Dekani zgjidhet nga Asambleja.
E nderuar znj. Ministre!
Duke marrë në konsideratë sa më sipër mendoj se është koha e duhur që Ministria e Arsimit dhe Sporteve të ndërhyjë për të rregulluar këtë mangësi ligjore, i cila mund të bëhet në disa mënyra si: Amendimi i Nenit 41 të Ligjit Nr.80/2015; Miratimi i një VKM-je, ose thjesht nxjerrja e një Urdhëri të veçantë të Ministrit të Arsimit dhe Sportit për “Organizimin dhe Funksionimin e Asambeleve të Personelit Akademik në Institucionet e Arsimit të Lartë publik”.
Me dëshirën e mirë, për të kontribuar në këtë çështje, dhe duke kërkuar ndjesë për ndonjë pasaktësi, do të propozoja draft formulimin e mëposhtëm.
Asambleja e Personelit Akademik
- Asambleja e Personelit Akademik përbëhet nga personeli akademik me kohë të plotë i njësive kryesore.
- Asambleja e Personelit Akademik të njësisë kryesore në institucionet e arsimit të lartë ka këto funksione:
a) zgjedh Rektorin e institucionit në institucionet publike të arsimit të lartë;
b) zgjedh Anëtarët e Senatit Akademik në institucionet publike të arsimit të lartë;
c) zgjedh Drejtuesin e njësisë kryesore në institucionet publike të arsimit të lartë;
ç) krijon dhe zgjedh Anëtarët e Komisioneve të përhershme të njësisë kryesore. - Asambleja e Personelit Akademik funksionon në bazë të Rregullores së saj, ku pasqyrohen rregullat e mbledhjes dhe marjes së vendimeve. Rregullorja hartohet dhe miratohet nga vetë Asambleja.
- Asambleja e Personelit Akademik drejtohet nga Kryetari i saj, i cili zgjidhet nga vetë Asambleja. Kryetari mund të jetë Pedagogu më i vjetër në moshë, ose çdo anëtar tjetër i saj. Zgjedhja e Kryetarit bëhet me 2/3 e votave.
- Mbledhja e Asambleja e Personelit Akademik mund të thirret nga Kryetari i Asamblesë, Dekani i Fakultetit ose 1/3 e anëtarëve të saj. Asambleja mblidhet jo më pak se 2 herë në vit.
- Në çdo mbledhje të Asamblesë mbahet proçes verbal nga ana e Sekretarit të Asamblesë.
- Vendimet e mbledhjeve të Asamblesë firmosen nga Kryetari i Asamblesë dhe i përcillen Dekanit të Fakultetit, i cili në mënyrë zyrtare (me firmë dhe me vulë) i përcjell tek Departamentet ose Institucionet e tjera brenda 5 (pesë) ditësh.
- Asambleja e Personelit Akademik mund të ushtrojë edhe kompetenca të tjera, sipas përcaktimeve në Statutin e institucionit të arsimit të lartë.
Të nderuar kolegë, profesorë!
Diskutimi i kësaj çështjeje mendoj që është shumë e rëndësishme për funksionimin në mënyrë sa më demokratike të Universitetit dhe për këtë arsye, miqësisht do tju ftoja të jepnit mendimet tuaja. Jam i bindur se një opinion i konsoliduar dhe i diskutuar në masë të gjerë jo vetëm që do t’i japë zgjidhje afatgjatë kësaj çështjeje, por edhe do të përmirësojë ndjeshëm balancat e “pushteteve” brenda Universitetit.