Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 3 vite burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Ai ishte pjesë e grupit të 19 personave të marrë si të pandehur për tjetërsimin e pronave tek ‘Rana e Hedhun’ në Shëngjin.
Në pretencën e dhënë, prokurori Erjon Shehaj ka kërkuar 43.6 vite burg në total për te pandehurit.
Përveç Frrokajt, akuza ka kërkuar 2 vite burg për ish nënkryetarin Enver Hafizi, 4 vite burg për ish kryetarin e Qarkut, Gjok Ndoka dhe ka kërkuar të asgjesohen praktikat e regjistrimit te pasurisë që është tjetërsuar.
Frrokaj sëbashku me zyrtarë të tjerë u arrestua në një operacion policor në vitin 2018 por më pas u la në arrest shtëpie.
Grupi ndaj të cili është dhënë sot pretenca akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
Fran Frrokaj u zgjodh për tre mandate (2003 – 2015) rresht si Kryetar Komune në Shënkoll ndërsa në vitin 2015 ai mori drejtimin e Bashkisë së Lezhës. Më parë ai ka shërbyer si oficer policie në Mirditë dhe Shkodër në vitet 1995-1999. Ka shërbyer si përgjegjës i Sektorit të Rregjistrimit të Mjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Lezhë dhe Tiranë në vitet 2000-2003. /Opinion.al