Home Approccio Italo Albanese Bergamo, Në këtë tragjedi të shumta janë pyetjet dhe ende të pakta...

Bergamo, Në këtë tragjedi të shumta janë pyetjet dhe ende të pakta përgjigjet…

Nga Sonila Alushi

Bergamo konsiderohet qytet relativisht i vogël, por përfshi provincat, arrin rreth 1.2 milion banorë.

Ndryshe nga ç’mendohet e thuhet zakonisht për bergamaskët dhe veriorët e Italisë në përgjithësi, si njerëz të ftohtë dhe egoistë, ky vend ka marrë titullin “Toka e vullnetarizmit” sepse në territor ekzistojnë mbi 4500 (burim info CSV) shoqata dhe organizata vullnetarësh e bamirësie.

Brenda pak ditësh, në qytet, për të ndihmuar më të moshuarit në nevojat e përditshme si pazari etj, dolën në terren nga komitetet dhe shoqatat e lagjeve, mbi 400 vullnetarë. Normalisht të gjithë njerëz të kontrolluar më parë.

Ky fakt, ky solidaritet i mbarë komunitetit, ashtu si zemërgjerësia ekonomike (qytetarët dhe bizneset lombarde kane dhuruar miliona Euro në ndihmë të spitaleve), ka qënë dhe vazhdon të jetë thelbësor për të limituar humbje të tjera në njerëz dhe për të ndihmuar pjesën më të dobët të shoqërisë.

Jemi në zonën më mirë të organizuar të të gjithë Italisë, pa ekzagjerim në një nga rajonet më funksionalë të Europës, e megjithëkëtë solidariteti dhe bashkëpunimi me njëri tjetrin po del të jetë çelsi kryesor për t’ja dalë mbanë në këtë luftë.

Në këtë tragjedi të shumta janë pyetjet dhe ende të pakta përgjigjet, por një mësim del qartë: solidariteti dhe altruizmi janë një nga mjekimet kryesore kundër çdo sëmundjeje, fizike apo sociale, të shoqërisë sonë.

Share: