Papa Françesku ia besoi Romën, Italinë, Botën mbarë, mbrojtjes të Nënës së Zotit, si shenjë shpëtimi e shprese në këto ditë ankthi, që ka mbërthyer mbarë njerëzimin, përmes një videomesazhi, me rastin e Meshës kremtuar sot, në orën 19.00, nga kardinali mëkëmbës Angelo De Donatis, pranë Shenjtërores romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore.
R. SH. – Vatikan
Sonte Papa Françesku ia besoi Romën, Italinë, Botën mbarë, mbrojtjes të Nënës së Zotit, si shenjë shpëtimi e shprese në këto ditë ankthi, që ka mbërthyer mbarë njerëzimin, përmes një videomesazhi, me rastin e Meshës kremtuar në orën 19.00, nga kardinali Angelo De Donatis, në Shenjtëroren romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore. Mesha, së bashku me lutjen papnore u transmetua drejtpërdrejt nga TV2000 si dhe në streaming, në faqen Facebook, duke krijuar, kështu, mundësinë për të shmangur rrezikun e infektimit nga Coronavirusi. Me këtë rrugë u transmetua edhe videomesazhi, me lutjen e Papës, drejtuar Zojës së Dashurisë Hyjnore:
“O Mari,
Ti shndrit gjithnjë në udhët tona,
si shenjë shëlbimi e shprese!
Besojmë në ty, Shëndeti i të sëmurëve.
Në ty, që dhimbjen e Krishtit,
shoqërove me fe të patundur!
Ti, Shpëtimi i popullit romak,
i njeh mirë nevojët tona!
Jemi, prandaj, të sigurt
se, ashtu si në Kanë të Galilesë,
do të na e shndërrosh përsëri
këtë kohë të hidhur prove
në çaste gëzimi e feste!
Ndihmona, o Nënë e Dashurisë Hyjnore,
të ecim në udhën e Atit,
e të bëjmë çka do Krishti,
që mori mbi vete vuajtjet tona,
e u ngarkua me dhimbjet tona,
për të na prirë, me Kryqin në krah,
kah gëzimi i ringjalljes!
Nën mbrojtjen tënde strehë kërkojmë,
o Nëna Shenjte e Zotit!
Mos e pëbuz lutjen tonë!
Lutje e njerëzve në provë!
Çlirona nga çdo rrezik,
O Virgjër e lumnueshme, e bekuar!11 mars 2020, 20:28