Klasa online me internet dhe mësime nga ekrani i televizorit. Ka qenë kjo zgjidhja që Ministria e Arsimit dha pas vendimit pë pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat e vendit, për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit.
Gjatë një interviste në New 24, Ministrja Shahini tha se ka një pengese për 4 apo 5 përqind të nxënësve që nuk kanë akses në internet, të cilët po ndjekin mësimet nga televizioni.
Nga ana tjetër, Shahini tha se viti akademik nuk do të rrezikohet, pasi orët e humbura do të zëvendësohen, kjo madje edhe për provimet kombëtare.
“Ne gjatë kësaj periudhe po bëjmë mësim, prandaj unë mendoj se nuk kemi nevojë që të shtyjmë provimet kombëtare, por do ta shohim nëse duhet ta shtyjmë. Sido të jetë, ne po komunikojmë edhe me Ministritë e Arsimit me vende të tjera të rajonit, për të parë si do të veprojmë. Viti akademik do të mbyllet. Nuk rrezikohet viti akademik. E gjithë bota po kalon në të njëjtën fazë. Për momentin kemi planin A që deri më 3 prill nuk shkojmë në shkollë fizike, por do kemi edhe plan B, nëse duhet të shkojmë tej kësaj date. Nëse kthehemi më 6 prill, duhet të dizinfektohen shkollat, kurse nëse nuk kthehemi, kemi planin për leksione online”, u shpreh Shahini.
Lidhur me universitetet, Ministrja e Arsimit u shpreh se pavarësisht autonomisë së tyre, po shihen mënyrat e mësimit online, praktikë kjo tashmë e përdorur nga Universiteti i Durrësit./Opinion.al