Home Gjeo-Ekonomia Kriza nga Covid-19, KE parashikon 100 mln eurot e premtuara për Shqipërinë

Kriza nga Covid-19, KE parashikon 100 mln eurot e premtuara për Shqipërinë

Komisioni Europian kërkon të zhvendosë në buxhet disa dhjetëra milionë euro fonde për shkak të pandemisë Corona në Europë. Ai ka përgatitur disa propozime për ndryshime shtesë në buxhet, të cilat duhet t’i miratojnë Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare në Këshillin e BE.

Sipas të dhënave të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, që i referohet autoriteteve të Brukselit, 75 milionë euro fonde do të përdoren për të marrë qytetarët e BE nga vendet e largëta të bllokuar për shkak të ndalimit të lëvizjes. Avionët që marrin qytetarët e BE në vende të ndryshme kanë marrë ndërkohë 2132 persona nga Kina, Japonia, SHBA, Maroku, Tunizia, Filipinet. Janë planifikuar edhe 80 fluturime për ditët e ardhshme. Po ashtu 80 milionë janë gati për përdorim për mjekësinë në BE për të krijuar rezerva në pajisjet mjekësore, aparate intubimi dhe maska.

Propozimi i Komisionit Europian parashikon, krahas rigrupimit të fondeve të parashikuara për vitin 2020, edhe shpenzime shtesë. Ndër to 350 milionë euro do të shkojnë drejt Greqisë për të ndihmuar emigrantët që jetojnë atje.

Premtimi i 110 milionë eurove për Shqipërinë

E re si shpenzim shtesë në buxhet janë edhe 100 milionë eurot e parashikuara si ndihmë për Shqipërinë për rimëkëmbjen dhe përballimin e pasojave të tërmetit vitin e kaluar. Komisioni Europian kishte premtuar më parë 115 milionë euro për Shqipërinë pas tërmetit të rëndë në nëntor 2019, 15 milionë euro menjëherë pas tërmetit, dhe 100 milionë euro në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë të mbajtur në shkurt.

Nëse Këshilli i BE dhe Parlamenti Europian bien dakord për propozimet e reja buxhetore të Komisionit Europian, atëherë 100 milionë eurot për Shqipërinë do të jenë gati për përdorim./Burimi: DW

Share: