Një sherr mes disa personave ka ndodhur këtë paradite në Tiranë, ndërsa ka qenë policia që ka ndërhyrë në kohë, duke parandaluar tragjedinë.
Sherri ka ndodhur në “Misto Mame”, ku policia sqaron se është dhunuar rëndë me mjete të mprehta nga dy persona shtetasi M. S, ndërsa është arrestuar njëri prej autorëve dhe shpallur në kërkim tjetri.
Gjithashtu, po në këtë zonë, tek Unaza e Re, një 30-vjeçar ka dhunuar bashkëshorten e tij në mes të një lokali, duke u arrestuar nga policia.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti mes disa personave.
Përdorën sende të forta gjatë konfliktit, arrestohet një shtetas, tjetri shpallet në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 6, pas njoftimit të marrë për një konflikt të çastit në “Misto Mame”, ku dy shtetas, për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë konfliktit kanë goditur me mjete të mprehta shtetasin M. S., duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Pas një pune të mirëorganizuar është bërë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit:
T. SH., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit I. Sh., 20 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, nga Shërbimet e Komisariatit Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 30 vjeç, sepse në Unazë të Re, në ambientet e një lokali, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
(BalkanWeb)