Nga Ilir Kalemaj
Primaret që po zhvillohen në Partinë Demokratike në SHBA përveçse një ushtrim i zakonshëm demokracie, na ndihmojmë të kuptojmë disa elementë që për shkak të influencës që ka Amerika jo vetëm ushtarakisht dhe ekonomikisht por edhe kulturalisht, janë leksione bazë që vlejnë shumë më gejrë se vendi ku zhvillohen.
Ngjashëm me primaret e republikanëve katër vjet më parë, ku në mes të shtatëmbëdhjetë kandidatëve që garonin me eksperienca të ndryshme që përfshinin të punuarit në ekzekutiv apo Kongres apo vinin nga sektori privat si Donald Trump, me histori partie apo jashtë saj si rasti përsëri i presidentit në detyrë, me platforma të ndryshme por kryesisht brenda rathëve konservatorë dhe me ndonjë përjashtim si Rand Paul edhe libertarian, të mbështetur nga grupe të ndryshëm shoqërorë, i dhanë garës një kuptim dhe dinamizëm të pahasur tjetërkund.
Fushatat elektorale në SHBA përgjithësisht nisin sapo mbaron fushata paraardhëse dhe zhvillohen në disa linja të shumëfishta që përfshijnë nga ndarja elektorale (gerrymanderring) deri te marketingu politik, nga rekrutimi i vullnetarëve te pesha e lobistëve dhe janë një shkollë e vërtetë politike. Aq influente janë për nga interesi që gjenerojnë sa shpesh shërbejnë si shembuj për t’u imituar dhe jo vetëm nga demokracitë e reja. Fjala bie, përpara zgjedhjeve të fundit presidenciale në Francë, partia UMP (ish-Goliste) ndërroi emrin në Partia Republikane e influencuar dukshëm nga simotra amerikane. Ose fakti që për herë të parë zhvilluan primare në stilin amerikan si dhe debatin presidencial etj.
Duke qenë se kësaj radhe në pushtet janë republikanët dhe Presidenti Trump ka vetëm primare formale pa asnjë dyshim që do jetë kandidati i republikanëve në këto zgjedhje, interesi bie mbi kandidatët sfidues demokratë dhe asaj që do të ofronin si platformë alternative.
Qysh në krye të herës duhet thënë që ndryshe nga primaret e kaluara ku ndër më të zjarrtat ishte ajo mes Barak Obamës që sfidonte dhe fitoi në mënyrë të pabesueshmë kandidaten Hillari Klinton apo ajo e Hillarisë që provoi një sfidë të fortë nga socialisti demokratik Bernie Sanders katër vjet më parë.
Sivjet, fusha e lojës qe dukshëm më pluraliste ku Sanders sfidohej në të majtë të partisë nga profesoresha e Harvardit Elisabeth Warren, ndërsa te të moderuarit spikasnin krahas favoritit Joe Biden edhe Pete Boutegieg, Amy Klobuchar, Beto O’Rourke që pati një start të fuqishëm por u venit shpejt, prokurorja nga Kalifornia Kamala Harris, Tulsi Gabbard e cila është ende në garë ndonëse pa asnjë delegat të siguruar etj.
Ditët e fundit, fill para së Martës së Madhe e cila me shumë mundësi vulos fatin e primareve dhe përcakton qartë favoritin, në mos edhe fituesin (në varësi të thellësisë të avantazhit), dy nga kandidatët më të fortë të linjës së moderuar Boutegieg (që fitoi primaren e parë të Iowa-s dhe Klobuchar që pritej të fitonte shtetin e Minesotës që përfaqëson si senatore, u tërhoqën duke mbështetur kandidaturën e Joe Biden, i cili tashmë sfidon fortë kryesuesin që është Bernie Sanders.
Disa kandidatë ishin jashtë partisë si sipërmarrësi Andrew Yang që korri një sukses jo të vogël para se të tërhiqej apo Tom Steyer, ndërsa së fundmi në garë është futur ish-kryebashkiaku i New York-ut Bloomberg i cili garon për herë të parë në këto dhjetë shtetet që kanë primaret këtë të martë.
Bloomberg si një nga milarderët kryesorë amerikanë dhe mbështetës i hershëm si donator i demokratëve, por i zgjedhur si republikan në krye të bashkisë së New Yorkut dhe shpesh i vet-identifikuar si i pavarur paraqet një sfidë të fortë duke marrë parasysh eksperiencën dhe pasurinë e tij, por edhe si më i shigjetuari nga presidenti aktual Trump.
Ky i fundit ka një rivalitet të hershëm me Bloomberg i cili e ka sulmuar më parë dhe me anë të mediave të tij me mjaft influencë, si dy njujorkezë miliarderë por dhe me interes të spikatur në politikë.
Ngelet për t’u parë se cili kandidat do të triumfojë deri në fund apo nëse do ketë pas më shumë se 50 vjetësh një konventë të ndarë (split convention) dhe do përcaktohet nga roli i super-delegatëve apo do të zgjidhet një kandidat kompromisi. Në çdo rast, aty ku ka garë, ka demokraci dhe fituesi gjithsesi do t’i duhej të përballej me një President Trump që ka edhe një mazhornacë në Senat dhe mbi të gjitha një parti më të unifikuar pas vetes.