Nga Gladiola Busulla
Mbrëmja i shëmbëllen
një psherëtime të përvajshme.
Vetminë rrëqethëse
Me kë po e ndan?!
Nuk ndihem xheloze.
Por e papërfillshme për ty.
E kjo, dhemb më shumë.
Oh, Zot!
Ç’torturë të mos jem asgjë në jetën tënde!
Të mungoj?
Apo e ke përmbushur boshllëkun e kësaj dashurie të pafat?!
Në heshtje unë vuaj për ne.
Dhe psherëtima zgjatet në infinit.
Ti je një mallkim që pas vetes më mban lidhur
Me fijet e padukshme
Të një zhgënjimi gjithlëndues.
Rrekem të të harroj.
Por ia dal mbanë
Të fshij nga kujtesa
Gjithçka,
Që nuk ka lidhje me ty.
Veten braktis
Në ndjenjën time të jetuar përgjysmë.
Dhe hëna,
Mikesha e zemrave të dëshpëruara
më rri pranë,
në thellësinë e këtij vizioni.