Nga Elira Kadriu – Citizens Channel
E premte, 22 maj, ora 21:45. Kryeministri Rama njofton me anë të një statusi në “Facebook” se fundjava do të vijojë njëlloj si ajo e kaluara, çka do të thotë me kufizime dhe fasha orare për zonat e kuqe.
“Normalisht nuk e dinim që të shtunën nuk lejohej hapja e aktivitetit. Të them të drejtën ishe e lodhshme pasi sistemuam të gjitha vazot jashtë dyqanit dhe u detyruam t’i mblidhnim prapë për t’i futur brenda”, tregon shitësja e një dyqani lulesh në rrugën Mine Peza, e cila preferoi të mos identifikohet.
“Nuk e ndjek kryeministrin në rrjetet sociale. Pse është e detyrueshme? Të jeni të sigurt që asnjë nga baret e Tiranës nuk ishte i njoftuar përveç personave që kanë njohje në Bashki”, tregon menaxheri i një lokali në hyrje të rrugës Don Bosko.
Në paqartësinë e krijuar, shumë biznese u lajmëruan në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga Policia Bashkiake dhe ajo e rendit se duhet të mbyllnin aktivitetin, pushuesve ju kërkua të largoheshin nga plazhet ku po pushonin.
Edhe hyrja në Parkun e Liqenit Artificial u bllokua me një barrikadë policie, të cilës nuk ju bindën një grup qytetarësh të revoltuar nga mungesa e urdhërave dhe ligjshmëria ku bazohen kufizimet.
A ka baza ligjore urdhëri që kufizon lëvizjet dhe veprimtarinë e biznesit në fundjavë?
Legjislacioni për situatën e COVID 19 përfshin 14 ligje, 19 akte normative, 55 Vendime të Këshillit të Ministrave, 18 vendime dhe 60 Urdhëra, por askund nuk gjendet një kufizim për fundjavat.
“Këto urdhëra të Kryeministrit ligjërisht nuk ekzistojnë dhe nuk sjellin asnjë pasojë”, shpjegon juristi Marash Logu.
Ai tregon më tej rrugën ligjore që duhet ndjekur për masat: “Neni 7 i ligjit Nr. 15/2016 “Për parandalimin e sëmundjeve infektive” parashikon që masat e vecanta vendosen nga Ministri i Shëndetësisë, sipas udhëzimeve të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërsa, neni 117 i Kushtetutës parashikon se urdhëri i nxjerrë nga Ministri hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Në këtë kuptim, për sa kohë nuk ka një udhëzim nga ISHP, nuk është marrë një urdhër nga Ministri i Shëndetësisë, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare”.
Logu kujton faktin se qytetarët i kanë kërkuar policisë te Parku i Liqenit të shohin urdhrin zyrtar por policia nuk ka qenë në zotërim të këtij të fundit.
“Do të doja të shtoja këtu se ideja e propozuar nga Kryeministri për bllokimin e lëvizjes gjatë fundjavave deri në Mars 2021 është në kundërshtim me nenin 38 të Kushtetutës tonë dhe nenin 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e lëvizjes. Kufizimi i kësaj lirie mund të bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kurrsesi në kohë normale”.
ISP bën thirrje për rikthimin e vendimmarrjes në shtratin kushtetues:
Komunikimi politik në “Facebook” është kritikuar edhe nga Instituti i Studimeve politike (ISP).
“Vendimmarrjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me liritë kushtetuese të qytetarëve, me të drejtat e njeriut, me aktivitetin privat e shoqëror dhe me raportet midis individit e shtetit, janë marrë, njoftuar dhe vijojnë të imponohen në rrugë jo institucionale, përmes komunikimit privat të kryeministrit dhe titullarëve të institucioneve, pa vendimmarrje institucionale e ligjore dhe pa publikim të akteve sipas kërkesave të ligjit” thuhet në reagimin e ISP.
Më tej i bëhet apel Kryeministri, Këshilli i Ministrave, Ministritve4 dhe institucioneve të tjera të publikojnë në kohë dhe me arsyetim ligjor të gjitha aktet e tyre lidhur me situatën aktuale, të cilat nuk respektohen prej muajsh.
Si po vijon hapja në rajon?
Edhe pse nuk ka një akt normativ që e ndalon frekuentimin e plazheve, pushuesit janë dëbuar këtë fundjavë nga policia ndërkohë që pushonin në plazhet e Vlorës apo Sarandës. I vetmi urdhër verbal që ekziston është ai i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, më 26 Prill.Video Player00:0003:16
Në Shqipëri është lajmëruar se plazhet do të hapen nga 1 qershori, duke lejuar vetëm hotelet të vendosin shezlongje për pushuesit, ndërkohë që shtetet fqinje kanë avancuar në hapjen e ekonomisë.
Mal i Zi ka deklaruar zyrtarisht se tashmë është një shtet me zero raste të koronavirusit. Instituti i Shëndetit Publik në Malin e Zi (i pari vend i rajonit që u shpall i lirë nga COVID-19), u prononcua të shtunën për mediat se nuk ka asnjë pacient të ri të prekur dhe se epidemisë i erdhi fundi. Që nga fillesa e pandemisë në vend janë raportuar në total 324 persona të prekur.
Sipas Reuters, që nga e shtuna e kaluar Greqia ka hapur rreth 500 plazhe, ndërkohë që u mundua që të ruhej mesi i artë, pra mbrojtja e njerëzve nga koronavirusi por edhe rigjallërimi i sektorit të turizmit. Vendi me një popullsi prej 11 milionë banorë, ka pasur rreth 2800 të infektuar dhe 160 vdekje. Sipas një manuali të lëshuar nga qeveria, jo më shumë se 40 njerëz lejohen për 1.000 metra katrorë, ndërsa shufrat e çadrave duhej të jenë katër metra larg.