Home KRYESORE Asnjëanësia është e rehatshme, por kurrsesi e dobishme zoti Kadare!

Asnjëanësia është e rehatshme, por kurrsesi e dobishme zoti Kadare!

Nga Elona Caslli

Kam menduar gjithnjë se asnjëanësia është e rehatshme. Shprehja tipike që përdoret për t’u rehatuar në kolltukun e rehatshëm të asnjëanësisë është- Nuk di gjë unë. Mua mos më ngatërroni!

Njeriu asnjëanës zhvishet nga çdo përgjegjësi. Ai ulet në kolltuk dhe sheh si spektator të gjitha ngjarjet. Nuk ka detyrë të mbajë asnjë qëndrim.

Ai ka po aq detyrime sa mund të ketë një spektator në një shfaqje teatrale. Madje mund të themi se një spektator në një shfaqje teatrale, ka më shumë përgjegjësi, pasi ai nuk mund të ngrihet, bie fjala në mes të një shfaqjeje dhe të largohet nga salla, nëse është ulur në mes të sallës.

Spektatorët e tjerë do të bezdiseshin nga ngritja e tij e beftë dhe do ta gjykonin si njeri që fyen paturpësisht artin. Dhe duke qenë se gjyqet kolektive në përgjithësi nuk kanë asnjë grimë mëshire për të pandehurin, spektatori në mes të sallës, rri ulur dhe nuk guxon të ngrihet.

Ndërsa spektatori në jetën reale mund të ngrihet në mes të shfaqjes dhe të rikthehet tek kjo e fundit, kur të dojë. Askush nuk do ta shikojë shtrembër dhe askush nuk do të fyhet nga asnjëanësia e tij. Madje, ne si shoqëri kemi prirjen t’i mirëkuptojmë asnjëanësit dhe deri diku të ndiejmë dhimbje për ta.

Kjo dhimbje në përgjithësi përkthehet me shprehjen- Nuk përzihet ai. Nuk ngatërrohet fare në këtë çështje.

Me pak fjalë mosngatërrimin e trajtojmë si urti, ndërkohë që nuk ka të bëjë hiç me urtinë. Është mungesë e mirëfilltë përgjegjegjësie në rastin më të mirë dhe një kontratë e lidhur në heshtje me pushtetin në rastin më të keq.

Jeni shprehur se nuk keni dijeni për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe se nuk doni të ngatërroheni me këtë çështje, zoti Kadare.

Nuk nevojitet informacion i detajuar zoti Kadare. Mjafton një fjali e vetme për të shprehur fytyrën e kohës që po jeton Shqipëria; Teatri Kombëtar shembet në zemër të natës në Tiranë.

Për dikë që ka jetuar në diktaturë nuk është fort e vështirë të kuptojë domethënien që ka nata për diktaturën.

Familjet internoheshin natën, armët futeshin në kishë natën. Pra, gjithçka bëhej natën. Duket se nata dhe diktatura kanë një gjë të përbashkët-Errësirën.

Nuk besoj se fjala juaj zoti Kadare, do ta bënte të skuqej Kryeministrin e aq më pak Kryetarin e Bashkisë, por besoj se fjala juaj do të ishte një zë më shumë në zërat e paktë të intelektualëve që po i bëjnë qëndresë neodiktaturës që po instalohet në Shqipëri.

Asnjëanësia juaj, mund të jetë e rehatshme, por kurrsesi e dobishme. Dhe kur them e dobishme nënkuptoj raportin tuaj me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare.

Asnjëanësia juaj është një zë më pak në zërat e dëmshëm për pushtetin dhe një zë më shumë tek zërat e dobishëm për pushtetin.

Post Scriptum- Asnjëanësia është e vyer dhe krejt ushqyese për çdo diktaturë.

Elona Caslli

Share: