Home KRYESORE Godina u prish kur brenda kishte njerëz, Avokati i Popullit: Hetim i...

Godina u prish kur brenda kishte njerëz, Avokati i Popullit: Hetim i plotë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë me një reagim mbrëmjen e së dielës, lidhur me shembjen e godinës së teatrit dhe protestat që shoqëruan atë. Ky institucion shprehet i shqetësuar për zhvillimet e fundit, ndërsa njofton se vetëm dy ditë më parë kishte nisur shqyrtimin e kërkesës së Aleancës për Teatrin në lidhje me aspekte të vendimmarrjeve të Këshillit të Ministrave dhe më pas të Këshillit Bashkiak të Tiranës përsa ato mund të cënojnë të drejtat e njeriut.

“Ditën e sotme institucioni ynë ka ndjekur edhe situatën në terren”, thuhet në njoftimin që bën me dije gjithashtu se Avokatja e Popullit organizoi punën për të vizituar të gjitha Komisariatet e Policisë së Tiranës, Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, vizita të cilat u kryen prej orës 9:30 deri në orën 14:00.

“Në secilin komisariat u këqyren regjistrat dhe u takuan të shoqëruarit e pranishëm gjatë vizitës si dhe u morën shpjegime të hollësishme prej tyre. Prej personave të shoqëruar nuk u pretenduan kryerje e veprime të dhunshme brenda ndërtesave të Komisariateve, por kishte ankesa në lidhje me dhunë fizike e psikologjike të ushtruar gjatë kapjes së tyre dhe rrugës për në Komisariatet e Policisë dhe disa persona kishin shenja dhune. Rezultoi se ishin shoqëruar edhe disa gazetarë dhe shoqërimi i tyre gjatë kryerjes së detyrës është tërësisht i pajustifikuar”, bën me dije Avokati i Popullit.

Më tej ky institucion njofton se do të hetojë e verifkojë me shumë kujdes çdo pretendim për tejkalim të forcës apo akte të dhunshme ndaj qytetarëve dhe personave të shoqëruar e do të dalë me konkluzionet përkatëse për çdo rast dhe kërkon si nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë por edhe nga ana e Prokurisë të Tiranës që këto raste të trajtohen në përputhje me rekomandimet e dhëna nga CPT (Komiteti për Parandalimin e Torturës së Këshillit të Europës) në raportin e bërë për Shqipërinë e të publikuar në shtator 2019.

Avokati i Popullit deklaron është duke u kryer një hetim i plotë për të verifikuar kushtet konkrete në të cilat është vepruar, lidhur me deklarimet e të shoqëruarve në komisariate, mbi faktin se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar kishte nisur kur në godinë kishte ende qytetarë, çka kishte vënë në rrezik serioz jetën e tyre.

“Gjatë vizitave në Komisariate grupet e punës të institucionit tonë, konstatuan se si kushtet e punës brenda komisariateve ashtu edhe pajisja e punonjësve me pajisje mbrojtëse nuk ishte në përputhje me Udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë”, bën me dije Avokati i Popullit, duke shtuar se asnjë prej të shoqëruarve nuk ishte i pajisur me maska dhe doreza dhe nuk kishte në dispozicion sende për të siguruar higjienën personale.

“Në Komisariatin nr.1 Tiranë, kushtet higjieno-sanitare brenda godinës ishin mjaft të këqija dhe gjendja e dhomave të shoqërimit dhe të sigurisë nuk garantonte asnjë kusht minimal higjienik qoftë për situatë normale dhe aq më pak situatën me masa të shtuara për shkak të gjendjes së sëmundjes infektive”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Opinion.al

Share: