Justifikimi i dhunës së policisë ndaj një 15-vjeçari duke bërë etiketime morale ndaj nënës së tij, nxiti dje një valë reagimesh të ashpra ndaj Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Kërkesat që ai të jepte dorëheqjen u shoqëruan edhe me ato ndaj deputetëve që nuk reaguan kur ai shfaqte një video sipas të cilës nëna e të miturit “ishte e një niveli të ulët”.
Deputetja Elena Duka e cila i drejtoi pyetjen lidhur me dhunën ndaj 15-vjeçarit drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka treguar me anë të një statusi në rrjetet sociale se nuk është ndjerë mirë pas videos së nxjerrë nga ky i fundit ku shfaqet mamaja e të mitirurit.
Ajo i kërkon ndjesë nënës së djalit të dhunuar që nuk reagoi në kohë për këtë veprim të papritur nga Veliu, për shkak se priti një moment të dytë për të kuptuar më mirë atë që po ndodhte.
“Që prej të djeshmes në rrjete sociale zien diskutimi në lidhje me videon e publikuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë. Që prej të djeshmes, kërkohet të dihet pse heshtëm ne gratë e pranishme në komision dhe unë dua të shkruaj vetëm pak rreshta për të thënë diçka më të vlerë se rreshtat…
“Kur mendja është në situatë të vështirë flet më mirë ai që hesht më mirë ” është një thënie e Pedro Calderon De La Barca…
Po, pikërisht mendja ime por besoj dhe e kolegeve të mia u ndodh në situatë të vështirë….
Askush nga ne nuk komentoi, nuk interpretoi dhe as diskutoi në ato çaste mbi pamjet që u shfaqën, për t’ia lënë një momenti të dytë, më të qetë dhe ndoshta dhe më të kuptueshëm…nuk është se kuptuam shumë se çfarë po ndodhte aty….
U ndodhëm në situatë të vështirë dhe heshtëm…
Nga ana tjetër, lidhur me çfarë deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, fjala ishte e tij dhe sqarimi duhet të ishte patjetër i tij, ashtu siç në fakt ai veproi me deklaratën e tij për shtyp. Zot i fjalës është ai që e thotë dhe vetëm ai ka të drejtë ta sqarojë.
Unë personalisht i kërkoj ndjesë publike Zonjës që shfaqej në video për faktin që isha prezente dhe që nuk reagova në atë moment, por dua të t’ju them me siguri se as unë e as koleget e mia nuk u ndjemë mirë.
Kam lexuar në rrjete sociale komente fyese nga më të ndryshmet…disa dhe në inboxin tim…shoqëri që për të mbrojtur një grua shan e ofendon në të gjitha format gra të tjera…kjo është shoqëria jonë, por gjithsesi vlerësime për të gjithë që reagojnë për të drejtat ….E di mendimin që pason… je përfaqësuese e popullit duhet të japësh llogari…po patjetër në çdo kohë por fyerjet dhe ofendimet bien njëjtë mbi të gjithë, dhembin njësoj….
Dikush më pyeste a ke fëmijë, në një shkrim na etiketonin deputetet nëna…po kemi fëmijë, jemi nëna, si një pjesë e madhe prej jush … Po jam nënë prandaj e pyeta Drejtorin lidhur me dhunën e ushtruar mbi djalin e mitur…
Dua ta mbyll me një thënie të Luigi Pirandello : “Një fakt është si një thes – nuk do të ngrihet nëse është i zbrazët. Për ta bërë atë të ngrihet, së pari duhet të vendosni në të të gjitha arsyet dhe ndjenjat që çuan atë në atë gjendje”….”, shkruan deputetja.
Kujtojmë se përpos faktit që kryepolici justifikoi dhunën ndaj një të mituri duke u bazuar tek vlerësimi i tij personal për gruan në fjalë, video që ai shfaqi para deputetëve ishte gjatë xhirimit të një filmi dhe jo gjatë jetës së përditshme. /Opinion.al