Home KRYESORE Kurti: Vendimi i Kushtetueses i papranueshëm, beteja jonë vazhdon

Kurti: Vendimi i Kushtetueses i papranueshëm, beteja jonë vazhdon

Kryeministri në detyerë i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar të padrejtë dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për qeverinë e Kosovës.

Mbrëmjen e djeshme gjykata vendosi të njohë dekretin e presidentit Thaçi për mandatimin e Avdulla Hotit që të krijojë qeverinë e re të Kosovës.

Albin Kurti në një mesazh në Facebook shkruan se Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit dhe zhvelrësoi veten. Sa i përket argumentimit të saj Kurti shprehet se ajo është marrë më shumë me interpretimin e tekstit të Kushtetutës se me aryetimin e çështjes.

Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë.

Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike.

Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë.

Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inexistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.

Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon.

Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18.

Formulimet e llojit “… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj” përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit.”- shkruan Kurti.

Në fund ai paralajmëron se beteja politike do të vazhdojë dhe se do të njoftojë hapa politik për qytetarët në ditët në vijim.

Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.

Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykates Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.”./Opinion.al

Share: