Home KRYESORE NJE KAFE ME MIKUN MISIONAR ZIJA ÇELA

NJE KAFE ME MIKUN MISIONAR ZIJA ÇELA

Nga Xhevair LLESHI

Ia keni lexuar romanet e tregimet? Po esete dhe refleksionet? Ah, ia paskeni ndjekur edhe intervistat e po thoni se e keni mik. E pra, librat e tij janë shumë të dashur, ata hyjnë në shtëpitë tona sic hyn miku i mire. Madje na shënojnë edhe ca fjalë, që aman o Zot ku i ka gjetur, jo vetëm fjalë dashurie, por edhe nga ato që kanë shumë duk dhe peshojnë rëndë, rende.

I dashur te Zoti, më shumë se kushdo, keshtu kam lexuar per Celen. Dhe, sic e perfytyroj une, java shtatë e ai tetë aty, mbi letra të shkruara me dore dhe me kompjuter. Prej ketj perfytyrimi, me duket sikur po me thotë burri i botës: Ja tek jam pra, edhe fillikat, edhe me shokë shumë, edhe me dritë (Ah, sa më pëlqen drita!), por edhe pa dritë – sidomos të jetë muzg e mugëtirë, më ngacmon gjithnjë një zë i brendshëm qe të eci natën, pale të shkruaj i kredhur thellë ne punen time. Por ai ëndërron gjithashtu të fleje në jatakët e një miku, të haje nga duart e një nëne mikpritese, të pi një gotë me të zotin e shtëpisë ulur pranë buxhakut dhe të xixëlloje me kaci prushin nga trungu i lisit, si atehere kur jetonte ne Has. Ai enderron të qeshe, të përqafoje njerëz, pse jo, të thote vetëm fjalën e ëmbël që i vjen vetvetiu. Ama, vec shpirti ia di edhe deshiren per të thene vargje përmendësh, per të ringjalle me alegori te reja mite e legjenda te vjetra, per t’u capitur rrugëve dhe per t’u gdhire duke ecur në një pyll të panjohur. Nuk ka të ngopur kur eshte në këmbë të malit, “aty ku ia njeh vetes përmasat reale që ke, fuqinë dhe peshën e llahtarshme që te sfidon para teje…”

Kam dashur gjithnjë ta kisha mik, të ma nderonte odën time të letërsisë. Njehere isha me Zija Celen për një kafe, jashtë në gjysmëhijen e tronditur nga zhegu i korrikut.

Ne sigurisht miq ishim, se të tillë na kishin bërë djemtë, dhimbja e thellë e humbjes, ajo dashuri e paharrueshme ne boshtin e jetes. Rrinte dhe më shihte plot afërì. Fjalët i buronin vetiu, duke ndërtuar aty për aty një metaforë të madhe, se ai të tilla vepra ndërton. Gjen kështu në bisedë me shkrimtarin personazhe të Vepres së tij me plot emra tronditës, përshkuar nga një dashuri e eperme dhe e bashkëshoqëruar nga një dhembje fatale. Duket sikur ka hyrë në një labirint ku estetika, morali, mendimi dhe emocioni jane nderthurur se bashku, duke shkundur tym e melodi, jetë para dhe pas Krishtit, para dhe pas Virusit… Këtu nëpër rreshtat e korpusit të veprave të këtij burri të pakët, por me shpirt gjenial, kalojnë shefa te piramided shteterore, figura gjithefarshe e komplekse, fshatarë e punetore me djersën mpiksur ne fytyrë, burra dhe gra qyteti që ndihen jashtëzakonisht të shqetësuar, si nën një tension te vazhdueshem…

A do ta mundin vetveten shqiptaret, nenkuptohet mes rreshtave te autorit, a do te lene prapa gjithe sa duhen lene nga demokracia hibride, per ta pershpejtuar te ardhmen e shendoshe dhe, me veprime reale, per t’i thene asaj mire se vjen?! Kur, kur?!..

Duke rrokullisur fjalë si shkrepa ne sagen e tij aq te spikatur letrare, duke u endur në kopshtet e mrekullueshme të dashurisë, Zija Çela, pa u ndier, pa u kuptuar ku është dhe me ata sytë shpuzë, ku digjet një zjarr i famshëm, vjen në kohë trazirash si misionar, merr mbi supe punë unikale krejt të tijat, i ngarkon mbi shpinë dhe ngjitet faqes së thepisur, e cila nuk mbaron kurrë, e ndriçuar nga rreze që i flakërijnë në mes të ballit dhe në dritë të syrit. Ai qëndron pak, s’lodhet, merr frymë thellë dhe vijon të befasojë nga libri ne liber. Duke parë se pranë ka mijëra e mijëra shqiptarë te ndershem, gjaknxehtë, të etur, të mirë, maskarenj, te sjellshem, grabitës, të uritur, punëharruar, të zakonshëm, punëbitisur, te pangopur per xhepin, te korroptuar, të dashuruar, vajtues e ankues pa luajtur as gishtin, ai vazhdon, vazhdon duke ecur here ne rrjedhe e here kunder rrjedhes, per te perfshire ne veprat e tij te gjitha shtresat dhe dramat e shoqerise bashkekohore.

Zija Çela e di se ne ngjitjen e tij te pandalshme krijuese, nuk ka për të gjetur ndonjë kurore përrallore, përveçse fatit që po udhëton në të përpjetën e hidhur bashkë me vendësit e tij, në një kohë kur, ne moshen qe ka arritur, mund të rrinte ngeshem, duke konsumuar levdatat e pareshtura. Por jo, me gjase as prehje, as heshtje s’ka. Keshtu sikur flasin vete syte e tij, ato gacat e tij të mrekullueshme ku ngjan se, bashke me roberimin nga shkrimi, lexohet njeheresh edhe përjetesia letrare.

O mik misionar dhe enderrpunues, tanime jam ne pritje. U be viti qe atehere, a do te kemi kafe tjeter kete behar?

Xhevair LLESHI

Share: