Home KRYESORE DREJTËSIA E MOHUAR

DREJTËSIA E MOHUAR

Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

Ndërsa Holokausti vazhdon të pushtojë mendjen dhe imagjinatën e shkrimtarëve dhe regjisorëve të kinematografisë në mbarë botën e qytetëruar, Gulagu, shumë herë më i tmerrshëm se i pari, ka mbetur në hije dhe pothuaj i patreguar fare. A duhet thyer kjo heshtje? A është pjekur koha për një diskutim dhe ekspozim të gjërë të asaj çfarë ndodhi dhe përse duhet bërë kjo? Me të drejtë ngrihen zëra që akuzojnë Perëndimin se po kultivon një kulturë memoriale vetëm për Holokaustin, duke mbyllur sytë përpara asaj që ndodhi në Gulag, ferrin komunist.
Arsyeja e kësaj asimetrie mendoj se gjendet në realitetin historik. Të mbijetuarit e genocidit komunist ende nuk kanë krijuar një memorie kolektive në Perëndim. Ata ende nuk kanë hedhur dritë aq sa duhet mbi historinë e dhimbshme, por heroike të tyre. Kur drejtësia nuk vihet në vend, kujtesa është ajo që luan atë rol.
Tiranë, 1975. Te hyrja e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dy kostumgrinj e futën në mes. Fytyrat pa gjak i thanë se kishin diçka për të sqaruar me të në drejtori. Në zyrë e priste sekretaria e Partisë, Vasilika dhe dy shokët e tij, spiunët. I komunikuan përjashtimin nga shkolla për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

  • Heshtja është vetëvrasje, – kishte thënë Klement Islami. Një ditë do të ndihemi fajtorë nëse sot mbyllim sytë përpara së keqes … kush nuk e do antinjerëzoren duhet ta luftojë atë.
    Menjëherë pas komunikimit të përjashtimit dy hetuesit e mbërthyen fort për krahësh dhe e tërhoqën jashtë.
  • Vështrova dritaren e katit të dytë dhe mata me sy distancën që më ndante nga ajo. Doja të hidhesha me kokë e t’i jepja fund jetës para se të bija në duart e tyre, por hienat e nuhatën dhe më mbërthyen me forcë nga krahët. – Më tregonte Klementi.
  • Është ende herët; do të kalosh në zdrukthin tonë njëherë, – i thanë dhe e tërhoqën zvarrë.
    Në oborr e priste Gazi-69. Po atë ditë nënën, babanë, motrat dhe gjyshen i internuan forcërisht në njërin nga kampet e vdekjes në jug të vendit, në Çermë të Lushnjes.
    Brenda dyerve të hekurta të hetuesisë speciale në Tiranë mbi trupin e tij të njomë terroristët komunistë ushtruan torturat më makabre. Ia dogjën mishin me cigare. I vunë korentin elektrik në veshë dhe organet gjenitale. Për ditë të tëra ia shtrënguan duart me hekura mbrapa në maksimum dhe e lanë të prangosur derisa t’i binte të fikët. I kërkuan të bashkëpunonte me ta. Klementi nuk pranoi kurrë. Ai qe gatuar me frymën e gjakun e një familjeje antikomuniste. Babai i tij, një nga të pakët intelektuale që kishte mbaruar studimet e larta në Itali për edukim fizik, ishte një antikomunist i betuar, ndërsa xhaxhai pat vdekur në burg si kundërshtar i regjimit komunist. Në qelinë pranë, në të njëjtën kohë, torturuan edhe Viktor Martinin, një tjetër të burgosur politik.
    Në burg e lanë të izoluar për një muaj të tërë brenda një qelie betoni, pa dritare e në errësirë të plotë. Edhe kur e futën në qelinë e përbashkët i çuan një oficer të kuq, i cili ulërinte:
  • Mos i jepni bukë armikut të Partisë! Lëreni të ngordhë! Nuk e meriton ai kujdesin e saj! Rroftë Partia!
    Ai, oficeri komunist, besnik i Partisë, ishte aty, sepse kishte vjedhur repartin ku kishte shërbyer.
    Në qershor 1984 u takova me Klementin pranë bustit të Kristoforidhit në Elbasan. Vuajtjet në kampin e internimit, në Çermë e Lushnjes, i kishin vjedhur rininë. Flokët e verdha, kaçurrela i ishin zgjatur dhe djegur nga dielli në arë. Më pyeti për familjen dhe më përsëriti këshillën.
  • Mos i beso njeriu lehtë që të mos e pësosh si unë. Tortura psikologjike që përdorin antinjerëzit synon të humbësh besimin te njeriu më i afërt. Për të dënuar ata përdorin mikun, shokun, familjen, të dashurën, njeriun më të shtrenjtë, të cilit njerëzisht i beson dhe e do.
    Ishte kohë dreke. E ftova të hamë. Rrugës na kaloi pranë drejtori i spitalit psikiatrik të Elbasanit. Në këtë spital Klementin e torturuan për disa kohë në pavionin e veçantë ku mbanin të izoluar disidentët politikë. Klementi filloi të dridhej i tëri nga revolta. U ulëm në njërën nga tryezat e fundit të lokalit.
  • Muçi, – më tha, – jam i bindur se një ditë do t’i shohim antinjerëzit të japin llogari përpara drejtësisë. Ai është njëri prej tyre, lejoi të më bëjnë apses në këmbë.
    Spitali psikiatrik njihej mirë nga banorët e qytetit për misionin e fshehtë që kryente. Me qindra ishin të dënuarit politikë, të cilët silleshin forcërisht aty dhe nuk dilnin më.
    Apses quhej prej të burgosurve politikë tortura e shkaktuar nga injektimi i rrëshirës së pishës në pjesë të ndryshme të trupit, zakonisht në këmbë. Ajo krijonte infeksion masiv dhe shpesh i burgosuri përfundonte me prerje të këmbës.
    Prapa spitalit ndodhej kolonia. Aty mbaheshin të rrethuar me tela me gjemba disidentë të degraduar mendërisht e fizikisht prej medikamenteve të dhëna me forcë nga mjekë dhe infermierë të zghedhur prej Sigurimit.
    Pasi u qetësua disi, Klementi filloi të analizojë ditët në robëri, “pushtimin e njeriut nga antinjeriu” siç e quante ai pushtimin komunist. Tregoi për tmerret në internim, punën e rëndë të krahut, jetën e vështirë dhe plot vuajtje, kontrollet dhe hetimet pa fund.
  • Nazizmi, – më tha, – kampet e internimit i krijoi të shfarosë racat e padëshirueshme për të. Komunizmi kampet e shfarosjes i ka kthyer në shtyllën kurrizore të industrializimit të vendit, në themelin e sistemit të punës prej skllavi që hap kanale, than këneta e ndërton fabrika.
    Pastaj përshkroi bisedat e gjata politike kokë më kokë me motrat, Isabelën dhe Zamirën. Ndërsa fliste më bëri shenjë me dorë të shikoja në anën tjetër të rrugës ku banonin disa nga të afërmit e tij.
  • Edhe ata, si antinjerëzit, na kanë mohuar familjarisht.
    Për pak qëndruam pa folur. Klementi e theu heshtjen.
  • Ngrihemi! Dua ta takoj patjetër, nuk dihet se kur mund të shihemi.
    Shkuam pranë pallatit 41. Atje banonte mikesha e tij. Pritëm të ulur në trotuar. Pas pak ajo erdhi dhe në praninë time iu lut të mos e takonte më. Atë e kishin kërcënuar ta pushonin nga puna prej lidhjes me të. Klementi nuk foli, por në sytë e tij u shfaq dhimbje.
    Ora po afronte gjashtë, atij i duhej të kapte trenin për në Lushnje.
  • Ikim, – tha.
    Përshkuam në heshtje rrugën për te stacioni. Ishte hera e fundit që u pamë.
    Uashington, 1994. Në njërën nga sallat e Kongresit Amerikan takova Zamirën, motrën e vogël të Klementit, e cila tashmë në botën e lirë, punon bashkë me Isabelën për Zërin e Amerikës. Pasi u përshëndetëm dhe Elez Biberaj që ishte me të u largua biseda kaloi te Klementi. Zamira tregoi momentet e fundit me të.
  • Pritëm të errësohej, – tha ajo, – pastaj u futëm në ujë. Klementi kërkoi të shkojmë përpara, ndërsa vetë na ndoqi nga pas. Notuam tërë natën duke i dhënë kurajo njëri-tjetrit. Edhe pak! Forca! Ja fare pranë është liria. Herë pas here drita e projektorit të rojeve kufitare binte mbi ne. Duke u gdhirë u ndjemë të lodhur. Mua filloi të më marrë gjumi. Isabela rezistoi më shumë. Një jaht turistësh italianë e pa atë. Bashkë me Isabelën, ata erdhën e më gjeten mua. Kërkuam për Klementin…
    Lotët nuk e lanë të vazhdojë më tej. Me kokën e këputur poshtë u ul në dyshemenë e mermertë, ndërsa unë, i prekur thellë në zemër, kujtova fjalët e tij.
  • Muçi, jam i bindur se një ditë do t’i shohim antinjerëzit të dalin përpara drejtësisë…!
    Atë mëngjes vere të vitit 1984 pasi u nda me lot dhimbje me pridërit e tij të dashur, Klementi së bashku me motrat, Isabelën dhe Zamirën, u nisën drejt Sarandës. Duke shfrytëzuar lejen e zakonshme si pretekst për të kaluar pushimet në qytetin bregdetar, ata u vendosën në hotelin e qytetit. Të nesërmen në mbrëmje, të pajisur me komerdare, fshehur pas një shkëmbi, Klementi dhe motrat u futën në det e filluan të notojnë drejt lirisë, drejt perëndimit. Pas shumë orësh notimi të lodhshëm, tamam atëherë kur menduan se arritën lirinë, Klementi vuri re se patrulla kufitare kishte filluar të patrullojë anën ku ndodheshin ata. Pa i rënë në sy motrave, i nxiti të notojnë më shpejt përpara, ndërsa vetë qëndroi prapa.
    Për të shpëtuar motrat ndryshoi drejtim, filloi të notojë drejt jugut. Ndërsa largohej prej motrave të dashura, Klementit i afrohej gjithnjë e më pranë motobarka e kriminelëve të kuq. Më kot u zhyt disa herë që t’u humbiste atyre. Kriminelët ishin afruar aq pranë sa edhe e kishin zbuluar.
    E thirrën të dorëzohej. E goditën me kiçin e motobarkës. Klementi nuk u dha. I zhytur thellë në det ai notonte drejt lirisë.
    E kërkuan në thellësitë e honeve. E lidhën me litar dhe e tërhoqën si hiena brenda ujrave të burgut komunist. Ashtu të lidhur, e shëtitën rreth e rrotull gjirit të Sarandës për të terrorizuar njerëzinë. Por trimi edhe i vrarë rrezatonte liri, dashuri e heroizëm.

Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

Piktura e Avni Delvinës

Share: