Home KRYESORE A duhet t’i urrejmë burrat?

A duhet t’i urrejmë burrat?

Nga Zhaneta Barxhaj

Janë disa ngjarje, që të presin mishtt si teh brisku. E nën prerjet e mprehta, ti mpihesh dhimbjesh e nuk e merr dot penën në dorë të shkruash dy rreshta. Sot ishte dita e fëmijëve dhe si fëmijë trazovaç u mundova të iki gjithandej, vetëm këtu të mos isha…por nuk ika dot.
Situata tejet e rëndë me fadroma e dhunë policore ndaj të rriturve e të miturve, me deklarata ku gjykohet morali i familjes nga ata që duhet ta mbrojnë, të çojnë symbyllur në thelbin e gjësë.

Ne vazhdojmë të merremi me politikë, duke fshehur dramën e vërtet të kësaj shoqërie. Kjo shoqëri vuan nga kriza e vlerave morale, e cila po shkatrron bërthamën humanitare që gjeneron vlerat dhe liritë, Familjen. Po, familja shqiptare është e mbrusur dhe mbarsur me një degradim të rëndë, që nuk haset në asnjë vend tjetër me këtë intesitet gjithëpërfshirës. Le të shohim vetëm disa pika( pasi kjo duhet të ishte qëndra e studimeve sociologjike dhe duhet të binte si këmbanë alarmi, duke iu imponuar institucioneve për reagim):

  1. Humbja e modeleve referuese. Këtu vlen të përmendim shembujt që u jepen të rinjve. Duhet të jesh një vajzë pamoral që të bësh karrier dhe një djalë horr, për të pasur sukses. Të gjitha programet e Tv e përforcojnë këtë në mënyrë të frikshme. I gjithë sistemi qeverisës partiak është i ndërtuar po mbi këtë llum, duke devijuar çdo vlerë në antivlerë.
  2. Dhuna në familje. Një plagë e rëndë që ushqehet nga mosndëshkimi dhe një sërë faktorësh si kultura dhe arsimimi i ulët, pasi edhe ata që shkollohen, marrin një arsimim të keq e shpesh duke e blerë, niveli i varfërisë, mentaliteti dashakeq ku femra shihet ende si pronë dhe plaçkë lufte. Këtu sigurisht ndikon edukimi që u bëhet këtyre fëmijëve në familjet nga vinë.
  3. Përdhunimet në masë të vajzave por edhe djemve. Këtu ka filluar të bëhet një vatër e nxehtë, që po përhapet me shpejtësi më tepër se covidi. Çfarë i shtyn këta njerëz të ndërmarrin veprime monstruoze, deri tek përdhunimi i fëmijve të tyre. Pikërisht këto që thamë më lart, se u duket trendy, se shoqëria nuk i dënon por i duartroket dhe përgëzon mirë ja bëri, se është kurvë, madje kur është fëmija i vet, nxitojnë të thonë nuk ka qënë i veti, kushedi me kë e ka ngjizur ajo, gruaja…

Është kaq e frishkshme kjo situatë, kaq absurde, që kjo shoqëri ka tendencë të justifikojë çdo gjë të keqe dhe përdhos çdo vlerë, mohon çdo të drejtë njerëzore.
Gra që dhunohen dhe i rrisin djemtë e tyre po me këtë frymë kundra grua dhe kënaqen i quajnë burra këta djem, kur vazhdojnë traditën duke rrahur gratë e tyre. Atëherë nis prapë justifikimi, burri të rreh. U përdhunojnë vajzat dhe dëgjon nëna që tepër gjakftohte u thonë bijave hë se nuk e bën më e mbyllim këtu, në një kohë që është për të ulëritur e për të ikur mëndja e kokës. Po këto nëna, kur dëgjojnë që është përdhunuar fëmija i komshiut, mirë që nuk lajmërojnë asnjë institucion, se edhe këto të fundit nuk kanë asnjë reagim edhe kur u ndodh para syve, por nxitojnë të paragjykojnë e të fajësojnë viktimën. Ishte bisht përdredhur vetë ajo ( një fëmijë i mitur ), dilte me të shkurtra, nuk të ngacmon njeri kot etj etj, sa të ngrihen nervat e të vjen t’i mbysësh këto gra, që nuk janë gra.

Ja kështu, e keqja shtohet pas çdo justifikimi që i bëjmë të keqes. Përdhunuesit shtohen, drogaxhinjt e horrat bëhen më të suksesshëm, ndërsa femrat vihen në një garë kurtizanesh, se këtë model duartrokasim. Ndaj edhe qeveritë dhunojnë e mohojnë çdo të drejtë njerëzore në këtë vend. Prishin e shesin çdo gjë se e dinë, që kjo shoqëri e kalbur do i justifikojë e fajin do e mbaj viktima, pra ne dhe vendi jonë.

Kthehemi prapë tek familja, si bërthama e qënësishme, si shkaku kryesor i kësaj situate. Prindër që i tredhin fëmijëve çdo vlerë, herë duke i nxitur e herë duke u vënë tabu, aq sa ata nuk mund të thonë se çfarë po u ndodh, se më shumë ndihen të dhunuar, se të mbrojtur. Prindër që i mësojnë të servilosen, të nënshtrohen, të heshtin. Të gjithë ne pra, që e përkrahim të keqen, që dhunojmë viktimën jemi shkaku i kësaj krize të thellë morale, që merr jetë para syve tanë. Shpesh mendoj se ça vaksine i kanë bërë kësaj shoqëri, që vuan kaq rëndë sindromën e stocholmit, se vende komuniste ka pasur gjithë rajoni, por nuk haset ky degradim moralë në këtë farë feje.
E keqja është kthyer në normalitet, antivlera në vlerë dhe asnjë reagim nga shteti, shoqatat, mjekësia apo sociologjia për ta mbrojtur familjen, për të zhvilluar politika të posaçme për rehabilitimin e kësaj situate. Ruajna zot, që të kthehen inçestet dhe përdhunimet në një gjë normale, ashtu siç është kthyer çdo e keqe në këtë vend.

Asnjë protestë nuk pashë, asnjë reagim për dhunën dhe përdhunimet që dëgjojmë përditë. Përkundrazi dēgjoheshin gra dhe burra që akuzonin viktimën si e përdalë…këta duhen dënuar të parët, këta janë nxitësit dhe shtysa e këtyre veprimeve. Madje e gjithë lagjia e gjithë drejtoria e shkollës duhet të dënohen si bashkëpuntorë në krim. Nuk e di si funksionon nga ana juridike, por duhet të dënohen të gjithë ata që dinë dhe heshtin, të gjithë ata që fajësojnë viktimën. Ndryshe antivlera dhe e keqja do mbizotëroj.

Sa herë dëgjojmë të tilla lajme, urrejmë burrat dhe ato që i kanë pjellë, por në të shumtën e rasteve fajtore janë po aq mos më shumë edhe gratë. Ndaj pyes a duhet të urrejmë burrat dhe e zgjidhëm?? Në fakt gratë bëhen nëna dhe janë më afër edukimit tê fëmijës, edhe nëse një baba ka defekte, një grua duhet të di që fëmija duhet t’i shohi si të tilla jo t’i justifikoj, duke i ushqyer kështu të keqen e falshme. Ndaj ky është një problem i gjithë shoqërisë, jo vetëm i burrave. Emancipimi dhe edukimi i gruas është më i rëndësishëm se i burrave, për të mbrojtur familjen. Ndaj para se të urrejmë burrat, gra shihni si po i edukoni fëmijët tuaj, aty është gjeneza dhe zgjidhja e çdo problemi.

P.s. Kjo është një temë që kërkon studim të mirëfilltë sociologjik dhe politika të menjëhershme sociale. Por nuk munda të mos reflektoja paksa rreth këtyre ngjarjeve të trishta…

Share: