Fatmira Hajdari është përlotur para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, teksa ka deklaruar pasurinë e saj. Ajo ka theksuar se nuk ka gënjyer asnjëherë në lidhje me deklarimet e saj dhe se jeton ende në vilën e blerë nga bashkëshorti i saj, Azem Hajdari.
Ajo shton se gjatë viteve kur është blerë shtëpia, veprimet kanë qenë informale dhe banka shkruante në dokumente fakte të paqena, mjaftonte të jepej kredia.
“Rrjedha ime familjare ne Tiranë ka nisur në vitet 1990. Na keni kthyer 30 vjet pas. Bashkëshorti im ka qenë deputet në vitet ‘90. Pas ardhjes në Tiranë kemi marrë një shtëpi tek ish-vilat gjermane. Në 1993-shin kam punuar në Ministrinë e Drejtësisë. Unë jetoj në të njëjtën vilë që ka blerë bashkëshorti im. Kam qenë korrekte në deklarimet e mia. Të gjitha blerjet janë bërë para se të bëhesha subjekt për të deklaruar. Unë shkova tek apartamenti i kunatit, pasi në atë kohë isha e kërcënuar për shkak të situatës.
Gjatë kësaj kohe u rikonstruktua banesa te vilat gjermane. Kemi qenë në një kohë krejt ndryshe. Veprimet kanë qenë informale. Unë nuk kam gënjyer asnjëherë në deklarimet e mia. Banka në atë kohë shkruante në dokumente fakte të paqena, boll të jepej kredia. Mua kunati më dha apartament, por unë i thashë dua dyqan, që të mbaj fëmijët e mi. Kur shkova të nënshkruaj kontratën, pronari më tha: ‘Ti do paguash vetëm koston e investimit, pjesën tjetër e keni për familjen tuaj’”, -ka thënë Hajdari para KPK./Mapo