KE do t’i rekomandojë këtë javë Këshillit të BE-së draftet për kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian Oliver Varhelyi gjatë sesionit në Parlamentin Europian u shpreh se zgjerimi është bazuar në meritë, ndërsa theksoi se bashkë me draftet do të dërgohen edhe përditësime mbi progresin e bërë nga të dy vendet. Ai foli njëkohësisht për një plan investimesh në Ballkanin Perëndimor, që pritet të dalë në vjeshtë, me qëllim mbështetjen ekonomike të rajonit.
“Pres me padurim miratimin e draftit dhe organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare. Zgjerimi është i bazuar në meritë”, tha zyrtari i lartë Europian, ndërsa cilësoi nevojat e përmbushjes së reformave.
“Vendet ballkanike nevojitet të plotësojnë reformat. Më shumë punë nevojitet si në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu nevojitet më shumë punë në respektimin e lirive themelore . Komisioni Europian do të analizojë progresin e bërë në paketën vjetore që do të prezantohet në vjeshtë. Gjithashtu në vjeshtë do të dalim me një plan ekonomik dhe investimesh për Ballkanin Perëndimor për të mbështetur rajonin ekonomikisht në planin afatgjatë dhe për ta afruar rajonin me BE-në”, tha Varhelyi./Opinion.al