Home KRYESORE Porta Vendore, një tjetër projekt i Sorosit, i pasqyroi të gjitha “protestat”...

Porta Vendore, një tjetër projekt i Sorosit, i pasqyroi të gjitha “protestat” tuaja kundër dhunës seksuale…

Gurë në stomak nga Kastriot Çipi

OK, e bëtë detyrën. E realizuat edhe një projekt. Ua dërguat sponsorëve raportin, bashkë me fotot, videoklipet dhe lidhjet e raportimeve të mediave. Porta Vendore, një tjetër projekt i Sorosit, i pasqyroi të gjitha “protestat” tuaja kundër dhunës seksuale, nga Tirana në Durrës e Lezhë. Ishin aty të gjitha shoqatat, qendrat, projektet, grupimet e avokatisë, konsultimit, studimit, kërkimit, mbrojtjes së të drejtave të të miturve, grave, pakicave.

E gjithë “shoqëria civile” që nuk ishte ndier asnjë ditë, dy muaj e gjysmë rresht, kur u burgosën në shtëpi dy milion e gjysmë shqiptarë. Të gjithë ata “aktivistë” që nuk kishin thënë një fjalë kur Ira Kurti u hoq zvarrë nga policët në Sheshin Skënderbej.

Bëni gati sloganet në anglisht dhe shqip për “protestën” e radhës. “I can’t breathe”. “Nuk marr dot frymë”. Na tregoni se nuk jeni vetëm kundër dhunës seksuale, por edhe kundër racizmit. Paguhen mirë edhe këto projekte. Madje këtë vit paguhen më mirë.

Vetëm mos na shisni mend! Mbyllni gojën e fusni paratë në xhep. Quajeni “marshim” po të doni, atë shëtitjen tuaj, por nuk keni të drejtë ta quani protestë. U protestua në këtë qytet në 7, 9, 15 e 17 maj dhe e pamë se si sillet policia.

Ku ishte policia më 4 qershor? Jemi ende në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Tubimet janë të ndaluar, deri më 23 qershor. Organizatorët gjobiten me nga 5 milionë lekë secili. Pjesëmarrësit me 10 mijë lekë. Përse nuk funksionoi ligji për ju?

Share: