Home Gjeo-Ekonomia Shoqatat e Transportit:Nuk ofrojmë shërbim të hënën pa u plotësuar kushtet

Shoqatat e Transportit:Nuk ofrojmë shërbim të hënën pa u plotësuar kushtet

Transporti publik nuk do të nisë punë të hënën. Lajmin e kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Unionit të Shoqatave të Transportit Publik në një deklaratë për shtyp.

Unioni deklaroi se nuk do të rifillojnë punën ditën e hënë në datë 15, sikur vendosi qeveria, pa u plotësuar kushtet e tyre.

Ata kanë propozuar dy aletranativa si kushte për të nisur punën sipas protokollit të publikuar nga qeveria.

Si pikë të parë ata propozojnë që transporti të jetë falas për udhëtarët gjatë pandemisë dhe të subvencionohen nga shteti.

“Kemi kërkuar nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave të nevojshme që do të mundësojnë kryerjen e shërbimit sipas protokolleve të publikuara. Konkretisht: transport publik falas për të gjithë kategoritë gjatë periudhës së pandemisë të garantuar nëpërmjet financimeve të organeve qendrore dhe vendore përgjegjëse, praktikë e ndjekur edhe nga vendet e rajonit dhe BE-së. Në këto kushte operatorët garantojnë gadishmëri maksimale për respektimin rigoroz të protokollit të sigurisë”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Transportit.

Si alternativë të dytë në pamundësi për plotësimin e të parës, Unioni i propozon organeve vendimarrëse 4 pika lehtësuese për aktivitetin e tyre.

Ata kërkojnë që 30% e kapacitetit që mbetet bosh të subvencionohet nga shteti, heqjen e akcizës dhe taksave për karburantin, heqjen e TVSH-së së transportit gjatë vitit 2020 dhe në vitin 2021 TVSH-ja për transportin të shkojë 6% dhe rimbursim të kategorive të cilat përfitojnë transport publik falas.

Pa u plotësuar ky kusht, kjo shoqatë thekson se nuk do të ofrojë shërbim në çfarëdo date të jetë urdhëruar nga qeveria. /Opinion.al

Share: