Nga Rita Petro
“Tani je në dorën time!… Nëse ta mban / luaj me zjarrin, ujin, ligjin / E nëse jo / hesht dhe kalo”.
Ky është refreni që na përsëritet gjithë jetën. Duhet të zgjedhësh që të rrezikosh apo t’i pranosh gjërat ashtu sikurse janë?
Vini re si sillen ata që marrin pushtetin, vini re se si sillen të rriturit me fëmijët, vini re se si sillet nje mashkull “i fortë” me të dashurën/gruan e tij, vini re si e trembin personalitetet arsimore nxënësin me notën e provimit; një polic, që nuk shqetësohet fare për sigurinë e jetës së qytetarit, por kënaqet kur të kap në gabim, një njeri me rrobën fetare, që, i zhytyr në perversitetin e tij, fshikullon besimtarin kur i rrëfehet sinqerisht për një mëkat, një gjykatës që i tregon gishtin një fajtori qyqar dhe darkon me batakçiun që fle mbi para të vjedhura.
TANI JE NË DOREN TIME – shprehje përjashtuese që mbijeton në të gjitha shoqëritë në përgjithësi dhe është aq e dukshme në çdo ind të shoqërisë shqiptare…
Ndaj më pas vjen pyetja dilemë:
Cili është brezi që po rritim ne, ai “hesht e kalo”…apo ai që guxon dhe përballet me këtë ?!
Ditët e fundit të rinjtë na dhanë shpresë, që para se t’i sulmojmë, etiketojmë, moralizojmë, duhet t’u themi:
Faleminderit, që megjithëse nuk ju kemi mësuar të kundërshtoni, ju lumtë që e nisët duke kapërcyer mbi ne të rriturit!
Na mësuat dhe ne të kundërshtojmë me argumente!
(Vargjet e mësipërme janë marrë nga libri “Vrima”)