Home KRYESORE E nderuar Ministre e Kulturës së Shqipërisë znj Elva Margariti deshtuat:Dorëhiquni!

E nderuar Ministre e Kulturës së Shqipërisë znj Elva Margariti deshtuat:Dorëhiquni!

Nga Azgan Haklaj

 
Ministria e Kulturës me veprimin apo mosveprimin e saj në vijimësi nuk e mbrojti  identitetin kulturor të Kombit Shqiptar.
Eposi i Kreshnikëve është pasaporta e trashëgimisë shpirtërore. 

Lahuta e çiftelia, ashtu si plisi i bardhë, xhamadani, xhubleta e fastanella janë kolona vertebrale e etnokulturës shqiptare.
Ministria e Kulturës në vend që të hartonte një strategji kombëtare për mbrojtjen e etnokulturës shqiptare, me veprimin apo mosveprimin e saj u bë pjesë e projekteve ogurzeza sllavo – bizantine, neootomane të zhbërjes së identitetit kulturorë 

Përpjekjet e barbarëve sllavë serbo- grekë dhe të amiqëve shekullorë të shqiptarëve për të zhbërë trashëgiminë kulturore, përvetësuar apo përbaltur simbolet kombëtare, zvetënuar gjuhën dhe doket, zakonet e traditat e të parëve tanë nuk janë të reja as të panjohura.Ato zënë fill që nga Epoka e Rilindjes Kombëtare në shekullin e XIX-të, në kohën e krijimit të shteteve nacional shoviniste të Ballkanit, Greqisë, Serbisë e Malit të Zi.Mohimi i ekzistencës së kombësisë shqiptare në Ballkan.

Njësimi i trojeve tona të lashta pellazgo- ilire me një areal osman.Përpjekja për kolonizimin dhe asimilimin e shqiptarëve kanë qenë alfa dhe omega e politikës dhe diplomacisë së fqinjëve tanë ballkanikë.Ideja e Greqisë së Madhe apo “Megali Idea”, një projekt shovinist për ngjalljen e perandorisë bizantine, ashtu si projekti famëkeq i Akademisë së Shkencave Serbe e shtetit serb “Naçertanija” “Serbia e Madhe” drejtoheshin në radhë të parë kundër shqiptarëve.

Kundër ketij agresioni ideologjik, kulturorë e ushtarak u ngritën korifejtë e Rilindjes Kombëtare, De Rada, Pashko Vasa, Sami Frashëri e të tjerë.Gjeniu Arbërorë De Rada, ura lidhëse mes Rilindjes Shqiptare dhe Rilindjes Europiane ka meritën historike sepse e prezantoj Atdheun e tij para Europës si një Komb kulturor. Ky është një fakt historik tek i cili ia vlen të ndalemi, jo vetëm për arsyen se deri tani nuk është analizuar, studiuar e promovuar, por sepse trashëgimia kulturore është çertifikuar si ADN-ja e ekzistencës së një Kombi, e tashmja dhe e ardhmja e tij.

Trashëgimia kulturore shqiptare është e shenjtë për ne, sepse u rrezistoj madhërisht rrebesheve të shekujve, invadimeve të huaja, e erozionit të kohërave, përpjekjeve të amiqëve tanë për zhbërjen e asimilimin e saj.  Për fat të keq, paradoksalisht, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e shtetit të sotëm shqiptar të narko trafiqeve, i cili e shembi vetë tempullin e kulturës, Teatrin Kombëtar, s’kanë si t’i njohin simbolet e mëdha të historisë dhe etnokulturës shqiptare dhe nuk presim prej tyre që t’i mbrojnë ato. Po cilat janë këto thesare të trashëgimisë kulturore?!

Trashëgimia pellazgo – iliro- arbërore, Eposi i Kreshnikëve e lahuta si zemra dhe gjaku i tij, Epopeja e Gjergj Kastriotit, Kanuni i Lek Dukagjinit, etnografia me simbolet e madhërishme e të lashta plisin, xhamadanin, xhubletën fustanellën, vallen e Pirros (pirrike), “Gjamën e Burrave”, “kënga majëkrahu” “kushtrimtare”, monofonia, apo polifonia, e në fund çiftelia, ky instrument i mrekullueshëm me të cilin shqiptarët e Gegënisë që përbëjnë rreth shtatëdhjetë për qind të Kombit Shqiptar kanë shoqëruar këngët e luftërave e dasmave, të kreshnikëve të rënë për liri, të vajzave të bukura si zana e djemëve si luanë, traditës, zakoneve dhe natyrës mahnitëse shqiptare.

Nëpërmjet çiftelisë, artisti i popullit Ndue Shyti e instrumentistë të tjerë virtuozë të veriut e kanë bërë publikun shqiptarë dhe të huaj të përjetonte të njëjtat emocione si ato që të dhuronte para dy shekujsh Paganini i madh me violinën e tij magjike. Ministria e Kulturës, “të urtët” e Akademisë së Shkencave dhe sivllau i Vuçiçit Rama lahutën ia dhuruan Serbisë, buzukun e promovuan si trashëgimi të Greqisë, ndërsa çiftelinë, të çertifikuar tashmë si një element thelbësorë të kulturës dhe folkut ia dhuruan Iranit.Po të kishin një karat të vetin nga floriri i trashëgimisë kulturore shqiptare, po të kishin dijeni nga visaret e Kombit tonë, nga vepra monumentale e Ramadan Sokolit ”

Nderi i Kombit”, Akademk Mark Krasniqit, Qemal Haxhihasanit, Rrok Zojzit, Anton Çetës e korifejve të tjerë të kulturës nuk do të guxonin të mos reagonin e ti lejonin serbët, grekët e iranianët të na i përvetësojnë ditën për diell margaritarët e trashëgimisë tonë kulturore.Reagimi idiotesk, me vonesë i Ministrisë së Kulturës për çiftelinë në rastin me të mirë për të është deshmi e paftësisë.

Ministria e Kulturës reagoj pas denoncimit të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. Ministresha e Kulturës së Shqipërisë dhe specialistët përkatës të kësaj ministrie duhet të japin menjëherë dorëheqje sepse kanë deshtuar, madje disa herë. Pararendësja e saj Kumbaro u dhuroj serbëve lahutën e lashtë iliro-dardane. Edhe pse lahuta shqiptare është po aq e vjetër sa lira e Orfeut dhe e çertifikuar që në lashtësi si një instrument autentik i stërgjyshërve tanë, kjo nuk përbënte problem për një adhurues të tallavasë si Daja, Edi Rama, për Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e tij të Shkencave.

Ministria e Kulturës me dashje deshtoj me Eposin e Kreshnikëve.Unesko refuzoj ta regjistronte si trashëgimi kulturore shqiptare sepse ishte propozuar bashkërisht, nga Shqipëria dhe nga Kosova, kur në fakt Kosova nuk është akoma pjesë e Uneskos dhe ata e dinin mirë këtë, por edhe përfundimin nul të propozimit të dyfishtë të tyre.

Natyrshëm lind pyetja?!A mund ta dijë Edi Rama se përse Homeri ynë, Poeti Kombëtar Gjergj Fishta e ka pagëzuar “Iliadën” e tij shqiptare me emrin kuptimplotë e madhështor “Lahuta e Malsisë”. A i ka degjuar ndonjëherë vargjet e interpretimin magjepsës të Fatime Sokolit, e cila i ngre një monument të pavdekshëm lahutës shqiptare: “Me ja ba lahutës telin Çikat tona e prenë bistekin”Apo këngën tjetër:”Mbi lahutë kryet e dhisë E pat Gjergji në përkrenare Ja pat dhanë lahutës shqiptare” Lahuta e çiftelia janë pjesë e trashëgimisë tonë kulturore, si asete të çmuara të saj, si pasuri të patundshme dhe të patjetërsueshme e gjenisë krijuese të kaq brezave artistësh e instrumentistësh virtuozë, anonimë e të njohur të folkut shqiptar.

Serbët, miku i tyre Rama, Ministria e Kulturës nuk mund të rishkruajnë historinë e etnokulturës shqiptare, e për më tepër ta tjetërsojnë atë.Znj Ministre nëse ndjeheni e urdhëruar, “e tradhëtuar” në këtë skandal të ri që prek në ashtin e saj etnokulturën e vendit tënd jepeni urgjentisht dorëheqjen e parevokueshme dhe bëja të qartë kryeministrit se: Artistët e interpretuesit virtuozë të folkut shqiptar don apo nuk don ai do të dinë t’i dalin zot Eposit të Kreshnikëve, këngës dhe valles shqipe, lahutës e çiftelisë, xhamadanit, plisit, fustanellës, artit brilant, thesareve të çmuara të trashëgimisë tonë shpirtërore, pasaportës së identitetit tonë kulturor, visareve të Kombit Shqiptar.

Kryeministri i tallavasë nuk mund t’i detyrojë artistët të bëjnë “çekapin” tek “vilma nushët” e Ministrisë së Kulturës apo kudo tjetër në shoqëritë e PPP-të e kulturës, të cilat sponsorizohen nga qeveria me qëllimin e vetëm rrënimin e trashëgimisë kulturore e historike të Kombit tonë. Znj Ministre, institucioni  juaj financohet nga buxheti i shtetit, kontributorë të cilit janë taksapaguesit shqiptarë.

Detyra juaj kushtetuese, morale e profesionale është të mbroni e promovoni identitetin kulturorë të Kombit, e jo t’i lejoni të tjerët, qoftë dhe për shkak të paaftësise tuaj ta grabisin ditën për diell pashaportën me të cilën kemi udhëtuar e mbijetuar në shekuj, por do të jetë fatale për ju nëse Unesko ka blerë heshtjen tuaj. Si përfundim ju keni deshtuar. Dorëhiquni!!

*Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh”, ish deputet i Kuvendit të ShqipërisëPresident i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut” nderuar me “Medaljen Gjergj Kastrioti” Autor i 7-të librave.

Share: