Home KRYESORE Shikoni çfarë i kanë bërë parkut të Voskopojës!

Shikoni çfarë i kanë bërë parkut të Voskopojës!

Nga Mentor Kikia

Nuk dua të bëj moralizime për edukatën qytetare, mungesën e kulturës, injorancën etj etj.

Kjo situatë ndodh në bregdet, në lumenj, në përrenj, në rrugë, në lëndina e në parqe. Ndodh në një kohë kur të gjithë jemi duke punuar fort për të promovuar asete të turizmit rural e natyror, për të nxituar frekuentimin e çdo rajoni të vendit tonë.

Dhe ja çfarë bëjmë…

Ne nuk mund të presim më që të edukohen të gjithë njerëzit. Nuk janë të edukuar të gjithë, në asnjë vend të botës. Ata që nuk i edukon familja apo shkolla, i edukon ligji dhe shteti. I edukon gjoba dhe frika. Por në vendin më të pisët të Europës, asnjë njeri nuk është gjobitur deri tani për hedhjen e mbeturinave në mjedis publik.

Asnjë qeveri nuk e ka patur në program luftën ndaj këtij pisllëku njerëzor.

Asnjë qeveri nuk e ka patur piksynim ndalimin e kësaj maskarade.

Lufta ndaj këtij pisllëku është sot një sfidë e rëndësishme, më e rëndëishme se ajo kushtet politiko-administrative që duhet të plotësojmë për hapjen e negociatave.
Si një njeri që fundjavën e kalon me thes në dorë duke pastruar zonat bregdetare, unë ndjehem i trishtuar deri në palcë për këtë imazh. Ndaj do të kërkoj ndihmën e gjithkujt, që të bashkohemi në një peticion masiv, online, adresuar qeverisë, si formë protestë dhe kërkese për të gjetur forma dhe mënyra që të ndëshkohen këta ndotës.
Së shpejti peticioni do të jetë gati dhe do të shpërndahet online.

Ju ftoj ta shpërndani këtë ftesë, si fillim i një sensibilizimi të atyre që ndjehen të revoltuar nga kjo gjendje.

P.S: Fotot mi dërgoi miku im Sejdin Cekani, nga parku i Voskopojës, të bëra këtë fundjavë. Për të ndarë trishtimin për këtë maskaradë që i kanë bërë natyrës ata që e frekuentojnë.

Share: