Dy persona kanë rënë në pranga në Korçë pasi tentuan të korruptonin punonjësit e policisë rrugore me qëllim shmangien e masave administrative, njëri prej të cilëve ushtronte shërbimin taksi i palicensuar dhe tjetri drejtonte mjetin pa rrip sigurimi.
Bëhet fjalë për E. N., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Zëmblakut”, ky shtetas është kapur me mjetin e tij tip “Benz”, duke ushtruar pa licensë shërbimin taksi, i cili për të shmangur masën administrative, iu ka ofruar rryshfet punonjësve të policisë.
Po kështu E. H., 22 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 17, është kapur duke drejtuar mjetin tip “BMW”, pa vendosur rripin e sigurimit, i cili për të shmangur gjobën, ka tentuar t’i korruptojë punonjësit e policisë.
Gjatë kësaj jave, nga strukturat e Policisë Rrugore të Qarkut Korçë:
• Janë proceduar penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, tre prej të cilëve për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe një tjetër për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
• Janë pezulluar 7 leje drejtimi, janë vendosur 39 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 141 masa të tjera për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.
Në akset nacionale por edhe në zonat turistike të Qarkut Korçë, është rritur prezenca e patrullave të Policisë Rrugore, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të automjeteve që vijnë me turistë, parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore, menaxhimin e trafikut në çdo rast bllokimi.
Policia Rrugore, apelon qytetarët që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikat vertikale e horizontale, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe celularit gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, kaskat mbrojtëse, si edhe të denoncojnë çdo shkelje të Kodit Rrugor të evidentuar prej tyre.
Top Channel