Zgjedhjet e vitit të ardhshëm, përtej retorikës së rënduar, janë zgjedhje krejt të zakonshme parlamentare ku çdo rezultat është i mundur. Euforia opozitare është krejt e pakuptimtë. Partia Socialiste e Kryeministrit Rama po bën gjithçka për të favorizuar veten në nisje. Ndryshimet kushtetuese që ndalojnë koalicionet parazgjedhore me lista të veçanta (për këto ndryshime u shfrytëzuan, si gjithmonë, deputetët e sjellë në Kuvend nga kundërshtari, PD apo LSI), sigurisht që krijojnë pështjellim në kampin opozitar.
Bashkimi i PD me LSI-në , në një listë, do të krijonte “një parti të re”, një përziereje mes dy a më shumë substancave që nuk krijojnë reaksion kimik në dukje. Mirëpo të gjithë e dimë që partitë politike shqiptare i bashkon më shumë pushteti sesa ideologjia. Nesër nuk do ishte çudi një koalicion PD-PS nën okelion e “interesave kombëtare” apo parullave të tilla siç po ndodh në Kosovë.
Sigurisht që kjo (lista e përbashkët PD-LSI) mund të kishte një ndikim negativ në elektoratin e PD-së pasi do të pakësonte në mënyrë të ndjeshme kandidaturat demokrate në këmbim të një shansi të madh për fitore.
A do jetë në gjendje Lulzim Basha apo ata që kanë në dorë fatet e PD-së, të kuptojnë se vetëm një listë e përbashkët PD-LSI ka shanse reale për të marrë pushtetin? Pas zgjedhjeve asnjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh.
Kjo është pyetja kryesore në kampin e Opozitës. Në raste zgjedhjesh, në përgjithësi, vendos analiza e drejtë e numrave. Përveç rasteve kur një frymë e madhe, një lëvizje e re iluministe futet në treg dhe mund të davaritë ujërat e ndenjura të kënetës politike. Sipas meje ky nuk është rasti i këtyre zgjedhjeve. Të rinjtë e politikës nuk do arrijnë të marrin numra të tillë që të ndikojnë pushtetin (nuk përjashtohet fakti që ndonjë prej tyre të futet në parlament në kurriz të votave të maxhorancës).
Nëse marrim në konsideratë numrat e 2017-ës, kohës kur Edi Rama iu “qa” shqiptarëve “ma jepni atë dreq timoni se nuk drejtohet makina me dy shoferë”, Partia e tij mori afërsisht 765 mijë vota. Ky ishte apogjeu historik i votuesve socialistë qysh nga ndarja me LSI-në. Po të shtojmë këtu edhe votat e LSI-së (226 mijë) dalim te rezultati i 2013-ës, te 1 milion shuplakat! Ndërkohë demokratët jo vetëm që nuk kishin rikuperuar asgjë por kishin shpërndarë gjetiu edhe ato vota të fituara në 2013-ën. Analiza e këtij rezultati nuk u bë asnjëherë me bindjen e tmerrshme se: “herën tjetër vjen radha jonë”.
A i ka ruajtur Edi Rama votat e fituara në 2017?
Unë besoj se do ketë firo të mëdha nga ai numër (765 mijë). Shpresat e shqiptarëve për një qeverisje të mirë, për një drejtësi të vërtetë që do burgoste “peshqit e mëdhenj” e për një mirëadministrim të taksave të tyre u shkërmoqën me skandale financiare si ai i Unazës së re, me koncesionet dhe PPP-të mjaft të dyshimta e me dëmet financiare nga gjyqet ndërkombëtare. Shto këtu kanabizimin e vendit, publikimin e përgjimeve ku eksponentë të Partisë bashkëpunonin me banditë kriminelë për të siguruar vota dhe, sidomos, grumbullimin e tepruar të çdo pushteti real në Shqipëri.
Konsumi nga pushteti i tepruar kurrë nuk ka qenë kaq i madh. Oreksi për të gllabëruar çdo zyrë pushteti lokal, çdo gjyqtar e prokuror, çdo media të rëndësishme e çdo deputet opozitar e ktheu në një kuçedër gjithçkangrënëse Kryeministrin. Nuk ka asgjë për kundërshtarët, edhe një President me kompetenca honorifike u tentua të shkarkohej vetëm pse kërkoi (pa asnjë efekt) shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Pushteti i akumuluar është shumë më shumë sesa mund të tresë stomaku i Edi Ramës. Kaq pushtet nuk kishte as Enver Hoxha, në kohën e tij qarkullonin edhe disa emra njerëzish me pushtet. Shqipëria është kthyer në klubin e miqve të Edi Ramës. Kjo sigurisht ka kostot e veta.
Partia Socialiste, në rast se zgjedhjet bëhen sot nuk merr më shumë se 600-620 mijë vota, aq sa kishte në vitin 2009. Berisha në atë kohë e mundi Ramën megjithëse mori më pak vota si Parti (620 PS-610-PD) në sajë të aftësive për të bërë koalicion. Koalicioni i PD-së arriti të marrë 712 mijë vota përkundër 688 mijë të PS-së, përkthyer në mandate 4 deputetë më shumë (70 me 66).
Në këto kushte, unë nuk mendoj se Partia Socialste do marrë më shumë mandate se në 2009-ën (66), por, nëse arrin të maksimizojë votën me marifete elektorale mund të mbërrijë në 68 deputetë, një shifër shumë afër realitetit. Kjo shifër e garanton Partinë Socialiste si Parti e parë në vend (supozoj që, nëse koalicioni i LSI garon i vetëm, merr minimumi 6 deputetë) duke i siguruar Partisë Socialiste të drejtën e mandatares së Qeverisë.
Edi Rama ka provuar se është mjeshtër në thithjen e deputetëve nga listat e Opozitës (e vërtetoi ky sesion parlamentar). Unë jam i sigurtë që ai do të arrijë të joshë deputetë nga LSI apo PD për të formuar Qeverinë nëse kjo e drejtë i jepet. Prandaj, Opozita duhet të gjejë gjuhën e domosdoshme e të dalë e unifikuar në zgjedhje, me një listë të përbashkët. I takon Partisë Demokratike të lëshojë terren ndaj forcave të tjera në emër të një qëllimi më të madh, rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti.
Gazeta Express