Home Approccio Italo Albanese Rëndësia politike e zgjedhjeve të 20 e 21 shtatorit në Itali.

Rëndësia politike e zgjedhjeve të 20 e 21 shtatorit në Itali.

Nga Aleks Kapllaj

Me 20 dhe 21 shtator është election day në Itali, ku njëkohsisht do të votohet për shkurtimin e numrit të parlamentarëve me referendum, për zgjedhjen e presidentëve të disa rajoneve të Italisë: Toscana, Puglia, Marche, Campania, Liguria, Valle d’Aosta e Veneto si dhe zgjedhjet e administratës në 1000 komuna dhe bashki të Italisë.

Edhe pse këto zgjedhje janë lokale, vetëm në shtatë rajone dhe në disa komuna jo shumë të mëdha, referendumi i jep një rëndësi politike kombëtare kësaj tornate elektorale.

Megjithatë, Matteo Salvini, ka përdorur një strategji politike që e mohon se kjo votë është për vlerësimin e qeverisë së Giuseppe Conte-s dhe nuk do të ketë pasoja për të.
Por Salvini nuk heziton të pranojë që synon të fitojë të 7 rajonet duke bërë një rezultat 7 me 0, që nuk mund të jetë i paefekt gjykues për veprimtarinë e tij, që edhe 4 me 3 do të jetë një fitore e zbehtë.

Koalicioni i djathtë është i bashkuar si kurrë më parë: Lega, Fratelli d’Italia, Forza Italia prezantohen me kandidatë të përbashkët.
E majta është e përçarë në shumë rajone dhe komuna, ku Lëvizja me 5 Yje ka paraqitur kandidatët e saj e vetme.
Kuptohet beteja kryesore është në Toscana dhe në Marche, që kanë qënë përherë të kuq në 50 vjet, që kur janë krijuar Rajonet e tani, mund të kalojnë me administrim të djathtë. Me fitoren e Qendrës së Djathtë në këto votime, do të ketë pasoja për politikën dhe liderat e partive të majta. Në Partinë Demokratike të drejtuar nga Nikola Zingaretti, humbja e këtyre zgjedhje do të rrisë presionet ndaj tij, nga personalitete të tjera që do të kërkojnë t’i marrin rolin e sekretarit si Stefano Bonaccini, presidenti i Emilia Romagno-s, që fitoi pak muaj më parë me karizmen dhe konsensusin e liderit të majtë, me ide të qarta i cili mendohet se është pasardhësi i sekretarit aktual të partisë më të madhe të majtë në Itali. Të kuotuar në kthimin e tyre janë edhe Matteo Renzi dhe Calenda, ky i fundit ish ministër i ekonomisë shumë i aftë dhe kompetent.
Në Lëvizjen me 5 Yje të Beppe Grillos, kohët e fundit në një krizë identitare ekzistenciale, përherë në rënie në sondazhet dhe në të gjitha zgjedhjet e kohëve të fundit, do të ketë ndryshime të mëdha. Pas dorëheqjes së Luigi Di Maios si drejtues i kesaj levizje, vendin e tij e ka marrë Vito Crimi, i cili është një figurë jo karizmatike që u zgjodh si përsoni i tranzicionit, gati teknik, deri në krijimin e një figurë të re që të ketë një reputacion kombëtar.
Ky përson është kryeministri i sotëm Giuseppe Conte, i cili në qeverinë e parë ishte “noteri” që garantonte respektimin e programit të qeverisë L5Y me Legën e Salvinit, që do të marrë në dorë atë që do të ngelë nga Lëvizja me 5 Yje, që deri në atë kohë mund t’i mbesin një ose dy yje pa ndriçim. Kjo lëvizje ka lindur si antisistem, por u bë pjesë e tij. U vetkonsumua me iniciativa shpikëse qesharake autolezioniste si “mandati zero”, “lëvizje biodegraduese”, “stanjacion i lumtur” dhe me dështimin në hapat e para të ligjit asistencialist të “ardhurat e qytetarisë” të cilën e përfituan edhe mafiozë dhe njerëz të krimit. Njëkohësisht humbi koerencen sepse betejat e saj kundër TAV dhe TAP (rrjeti i gazit nga Azerbaijani që kalon nga Shqipëria me ardhjen në qeveri i pranoi, si dhe betimi i thyer se kurrë nuk do të qeveriste me PD-në me të cilën sot kanë krijuar qeverinë.

Në krahun e djathtë festojnë të dy liderët e partive më konsensus përherë në rritje Giorgia Meloni dhe Matteo Salvini, që pak nga pak po marrin të gjitha votat e Silvio Berlusconit që po tkurret në fundin e ciklit të tij politik në pritje të krijohet një personalitet që të përfaqësojë liberalët europeist të Forza Italia-s. Një personalitet në rritje në krahun e djathtë kemi Giovanni Toti, presidenti i Ligurias, ish sekretar i partisë së Berlusconit të cilin e braktisi dhe krijoi partinë e tij Ndryshojm me Toti-n. Njëkohsisht Francesco Giubilei themelues i shoqatës, Kombi i Ardhshëm, i rreshtuar nga Forbes në 100 të rinjtë më me influencë në Itali, do t’a kemi në të ardhmen si një protagonist në politikën e djathtë italiane, i cili dënoi në faqet e Giornale-s edhe shembjen e Teatrit Kombëtar si një vendim antivlerë i qeverisë Rama në mesin e Pandemisë.
Qendra e djathtë italiane do të ketë mazhorancën në të gjitha zgjedhjet e ardhshme politike apo lokale përderisa tema kryesore e debateve të jetë emigracioni i pakontrolluar dhe i menaxhuar keq nga e majta.
Por referendimi për shkurtimin e parlamentarëve është një votë e italianëve për politikën në përgjithësi: nëse fiton po-ja, tregon se votuesi italian është i zhgënjyer nga të gjitha partitë dhe politikat dhe ndjehet e ofenduar dhe e keqqeverisur nga kjo klasë politike që e ka lënë Italinë, ndër vendet e fundit në Evropë dhe kërkon ndryshime dhe ardhje të reja për t’a vendosur në vendin që meriton si themeluese e Europës me statistin Alcide de Gasperi, që rindërtoi vendin e tij të shkatërruar nga lufta e ll Botërore.

Aleks Kapllaj

Share: