Home KRYESORE A mund t’i themi hajdutit, kape hajdutin?!

A mund t’i themi hajdutit, kape hajdutin?!

Para disa kohësh, takova rastësisht një të njohurin tim të vjetër. Kisha vite pa e parë dhe nuk e dija se çfarë të rejash kishte në jetën e tij. Mbaja mend vetëm një fakt që ishte kthyer në barceletë mes të njohurve të tij, pasi ai i kërkonte para borxh çdo njeriu me të cilin takohej edhe pse nuk bëhej fjalë për ndonjë hallexhi në kufinjtë e mbijetesës. Gjithmonë kishte qëndruar afër partisë së tij dhe ky fakt i mundësonte një punë në shtet në çdo kohë. Mbase kishte varësi nga ndonjë ves i cili kërkonte shumë para, fakt që nuk u bëra kurioz asnjëherë ta mësoja.

E megjithatë në takimin e fundit, mu duk shumë ndryshe. Ishte në humor të mirë dhe veshja e tij dukej goxha e shtrenjtë. Më tha që ia kishte gjetur anën të fitonte nga fondet shtetërore me të cilat subvencionohen shkollat e arsimit profesional dhe për t’i përfituar ato, i kishte lindur ideja të hapte një shkollë të tillë. “Tani jetoj si pasha” – më tha. “Kam blerë një super vilë dhe bëj pushime disa herë në vit”. Dhe këto po m’i tregonte mua, që kam prej 12 vitesh, një shkollë kulinarie dhe shteti asnjëherë nuk shpenzoi asnjë qindarkë për ta mbështetur. Kostot e një studenti të një shkolle kuzhine, janë të larta, të papërballueshme për familjet shqiptare dhe ne shumë shpesh kemi paguar bursa të pjesshme ose të plota, për të rinj që nuk kanë mundësi të paguajnë, por që duan aq shumë të shkollohen.

Kemi ndarë një fond nga fitimet e Kompanisë Neranxi dhe në vend që ato para të fituara me aq mund, t’i çonim në familjet tona, ju e kemi shpërndarë studentëve të shkollës sonë.

Teksa shihja kostumin, orën dhe makinën e shtrenjtë të këtij tipit të rilindur në luks, më dilnin përpara paratë e vjedhura, të cilat janë grante të dhëna nga vende të huaja, për të arsimuar dhe integruar të rinjtë shqiptarë. Janë pikërisht këta individë të cilët hapin përkohësisht ca kioska që i quajnë shkolla profesionale dhe me filozofinë KÇK, në fakt nuk bëjnë gjë tjetër, veçse vjedhin ëndrrat e të rinjve shqiptarë.

Ju mbase nuk e dini, por qeveria shqiptare merr çdo vit miliona euro ndihma për arsimin profesional dhe këto para shkojnë në xhepat e këtyre individëve të babëzitur, si ky që ju tregova më lart. Në fakt, shkolla të tilla duhet të jenë subjekte të një auditi dhe investigimi, por kush do ta bëjë do thoni ju? Se kësaj i bie, t’u themi hajdutëve, kapeni hajdutin! Por ama, opinioni publik duhet ta dijë se kjo është një nga vjedhjet më të ndyra dhe një nga padrejtësitë më të mëdha që i bëhen brezit të ri dhe duhet patjetër dikush t’i ndalojë.

Fundja, edhe pse janë ndihma nga jashtë, ato gjithsesi janë para të taksapaguesve të atyre vendeve, prandaj dhe këto ndihma, mbase duhen menaxhuar dhe kontrolluar nga vetë ata, sepse deri tani, të menaxhuara nga shqiptarët, kanë prodhuar thjesht ca individë të majmur, asgjë më shumë. Dhe kjo vjedhje, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!

Share: