Nga Mentor Kikia
Mesa duket, në fletën e votimit, kësaj radhe do të kemi shumë parti, mes të cilave edhe disa të reja, që janë duke u farkëtuar e që kanë lindur nga grupet e të pakënaqurve të PD-së.
Unë nuk ndaj të njëjtin shqetësim me ata të PD-së për copëtimin e votës, e cila do të çonte ujë në mullirin e Ramës, sepse çdo kush ka të drejtë të hyjë në një garë politike, i perlqen apo jo dikujt tjeter. Por unë jam i shqetësuar për shumë më shumë se kaq.
Partitë e reja hallin më të madh kanë patur të gjejnë kryetarin dhe emrin, së pari. Në fakt unë do të doja të dija filozofinë e tyre te re.
Cila është kauza e tyre? Të kërkosh pushtet nuk është kauz, edhe pse ca syresh nuk kërkojnë as pushtet, por vetëm të “flenë me mullixhiun” për inat të “vjehrrës”.
Cilat janë risitë ?
Çfarë projektesh kanë?
Çfarë ndryshimi duan të sjellin?
Çfarë mendojnë se duhet ndryshuar në këtë vend, përveç qeverisë?
Cilës dege të ekonomisë duan ti japin prioritet?
Çfarë mendojnë se duhet bërë për arsimin, mjedisin, koncensionet, e madje edhe për bashkimin kombëtar?
Unë nuk kam lexuar asgjë nga këto, dhe padyshim që nuk pres të lexoj. Sepse, nëse nga një ferrë këpusim një degë dhe e mbjellim, filizi i ri ferrë do të jetë sërish. Natyra nuk ka prodhuar ndonjë mutacion deri tani, që të mbjellësh ferrë e të celë trëndafila.