Home KRYESORE E lumtur I…

E lumtur I…

Nga Gladiola Busulla

E shtrirë, mbi tokën e lagur të fundnëntorit,
po lutesha…
për vjeshtën e mbështjellë me rreze të praruara.
Shfletova Jorge Luis Borgesin.
Nuk desha të kryeja mëkatet më të këqija,
që një njeri mund të kryejë, siç shprehej ai.
A mund të mos e lësh shpirtin tënd të marrë frymë?!
U ngrita…vrapova krahëhapur.
Symbullur – kërkoja qiellin e lumturisë.
Desha të jem e lumtur dhe të përmbushja dejet
me çaste të rralla e të plota.
Toka, uji, ajri, zjarri…gjithçka i shëmbëllen një loje të vjetër
që njerëzimi e ka mësuar përmendësh.
Të gjitha gërshetohen në Një.
Ato e bëjnë jetën.
Ndaj i qëndroj sa më larg
akullnajës së ndërgjegjes, që bren si një krimb i papërfillshëm,
por që lisin rrëzon.

Vullneti im, mendja ime, zemra ime
Më frymëzojnë të jem e lumtur.
Në çdo stinë, në çdo moshë,
në çdo hapësirë a dimension kozmik.
Mjerani s’është veçse hija e vetvetes,
alter ego e trishtimit.
Dua thjesht të jetoj …po më pas?!
Eh, më pas dua të vdes,
nën pemën e pastër
të dashurisë së përjetshme.

E lumtur II

Ç’emocion! Të pashë tek përqafoje librat si të ishin foshnje njomëzake,
i përkunde lehtë dhe iu pëshpërite ninulla.
Përqafove të gjitha historitë njerëzore,
dashuritë e mëdha, shirat e lotëve dhe puthjet në gjysmerrësirë;
përqafove hënën, yjet, diellin ylberin dhe horizontet e hapura.
Kishin parë e ndjerë dhembjet më të thella e gëzimet më të mëdha.
Mes tyre më gjete dhe mua.
Anijet rravgojnë. Ikin dhe vijnë. Kapërcejnë kufijtë.
Aeroplanët përshkojnë qiejt pafund.
I përmbytyr në dhembjen dhe ankthin tim.
A do të mundem të përballoj zbrazëtinë?
Po vetminë, atë kapluesen, rrënqethësen,
atë që të pushton kur anija mbërrin dhe ti nuk je…
Sytë reflektojnë ende dritën e vështrimit tënd.
Vetëm një prekje e lehtë, e pafajshme dhe yjet rrotullohen,
galaktikat vrapojnë si të çmendura,
pafajësia e një çasti më bën të dridhem në përjetësi.
Dëshira për t’u kredhur në ujëra të qashtra më përndjek.
Më rikthen në barkun e nënës,
aty ku e keqja s’më arrinte e s’më cënonte dot.
Mundohem të mbyll sytë…!
Ajri i qelibartë kërruset në gishtërinjtë e mi.
Nuhatja ime gjurmon ngrohtësinë.
Je një sirenë apo Lorelai e Hajnes
që me zërin melodioz përmbys varkat dhe lundërtarët.
Të dërgoj mesazhe dashurie
të shkruara në gjethe të zverdhura.
Unë buzëqesh kur mendoj se dhe ti je e brishtë.
Përtej këtij deti,
nën valëzime dallgësh hermafrodite…
Shumë larg,
Atje ku dielli kurrë s’perëndon,
Ti luan me krijesat e përrallave.
Gërzheta të buzëqesh nën dritën e hënës;
Kurse Zanat të dhurojnë mollë sheqeri.
Engjëjt të përqafojnë dhe
dëshirat e Krishtlindjes plotësohen…
Ti je e lumtur. Kaq më mjafton!

Share: