Home Approccio Italo Albanese TAKIM I ZËVENDËS DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM PËR SIGURINË PUBLIKE – DREJTORIT TË...

TAKIM I ZËVENDËS DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM PËR SIGURINË PUBLIKE – DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË KRIMINALE ME AUTORITETET MË TË LARTA TË QEVERISË DHE POLICISË SHQIPTARE

Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kriminale, Prefekti Vittorio Rizzi udhëhoqi delegacionin italian në një vizitë në kryeqytetin shqiptar për takime në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor me Ministrin e Brendshëm Sandër LLESHAJ dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi VELIU.

Takimet me Autoritetet e qeverisë dhe ato të policisë u përqendruan në gjendjen e bashkëpunimit policor dhe në realizimin e nismave të reja si ngritja e një “tryeze teknike të përhershme dypalëshe midis drejtuesve të autoriteteve përkatëse të policisë” në të cilën të përforcohen marrëdhëniet e bashkëpunimit midis law enforcement të të dy Vendeve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike, duke iu referuar në mënyrë specifike kontakteve dhe lidhjeve operative midis organizatave kriminale të pranishme në secilin territor.

Misioni është kërkuar shumë nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, i cili mori pjesë në të gjitha takimet, shenjë e prekshme e një bashkëpunimi të tërthortë gjithmonë të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në interes të përbashkët të Vendeve. Ambasadori Bucci, me rastin e vizitës, deklaroi: “vizita e Zëvendës Drejtorit të Policisë dhe rezultati i takimeve të zhvilluara gjatë këtyre dy ditëve janë një hap i rëndësishëm për një përforcim të mëtejshëm në formë më organike e më të strukturuar të bashkëpunimit tashmë të shkëlqyer policor midis dy Vendeve tona”.

Në përfundim të takimit, Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Sandër Lleshaj, si dëshmi e bashkëpunimit të konsoliduar midis dy Vendeve, i akordoi Prefektit Vittorio Rizzi Medaljen e Nderit, nderimi më i rëndësishëm i dhënë nga kjo Ministri, “për kontribut të shquar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Italisë, në luftën e përbashkët kundër krimit, në interes të sigurisë publike”.

Një mirënjohje e tillë, në nivel tekniko-operativ, u rezervua për Drejtorin e Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë së Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale, Gjeneral Brigade i Armës së Karabinierëve Giuseppe SPINA, për koordinimin e veprimtarive operative që çuan në lirimin e vogëlushit Alvin Berisha shtetas shqiptar i mbyllur në një kamp refugjatësh në Siri.

Në përfundim të takimeve Prefekti Rizzi deklaroi: “rezultatet operative të shkëlqyera midis forcave të Policisë italiane e asaj shqiptare – konfirmuar së fundmi me operacionin Los Blancos – tregojnë cilësinë e punës së përbashkët në luftën ndaj krimit të organizuar. Ngritja, në vijim, e një tryeze të përhershme të përbashkët do të jetë mekanizmi për të garantuar një zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit Ndërkombëtar policor në përcaktimin e mjeteve operative strategjike si, para së gjithash, zhvillimin e një sistemi të përbashkët për të analizuar krimin si edhe të projekteve trajnuese për bashkërendimin e një gjuhe teknike të përbashkët me qëllim përmirësimin e cilësisë së rezultateve”.

Share: