Nga Erion Dasho
Duke qenë se një grup miqsh dhe kolegësh kishin parashikuar dalje në shumë emisione televizive në të njëjtën kohë dje në mbrëmje, kalova një dy orësh duke ndërruar kanalet televizive pothuajse çdo 15 minuta.
Ishte surrealiste kur shihje një aleancë politikanësh dhe teknicienësh të lidhur me pushtetin të mbronin të pambrojtëshmen, të paraqisnin si sukses dështimin shumëplanësh të përgjigjes shqiptare kundër COVID!!!
Një mjek nga Turqia referonte se qytetarët turq përfitojnë falas një medikament që shqiptarët e paguajnë qindra Euro. Koalicioni politiko-teknik e bënte veshin shurdh!
Një mjek nga Franca referonte se qytetarët francezë gjithçka e përfitojnë falas. Studio shqiptare qëndronte stoike!
Kryeministrit i vendoseshin përpara deklarata dhe fakte nga profesionistët më të mirë të fushës, ai i injoronte me deklaratën demagogjike “kështu kanë vendosur ekspertët” në kohën kur eksperti më i mirë i asaj fushe sapo kishte deklaruar të kundërtën!
Sipas përfaqësuesve të qeverisë spitalet shkëlqejnë, medikamentet nuk mungojnë, testet bëhen sipas nevojës, qytetarët i marrin nga “qejfi” ilaçet që paguajnë nga xhepi, shkojnë nga “qejfi” tek privati për teste dhe analiza, shkojnë nga “qejfi” në Turqi për kurim. Sipas tyre, përgjigja shqiptare ndaj COVID mund të merret shembull nga e gjithë bota!!!
Një gjë më çudit në këtë amulli.
Mirë kryeministri, ministrja dhe takëmi i tyre mbrojnë kolltukët dhe privilegjet, po kolegët tanë që janë bërë njësh me pushtetin dhe po i shërbejnë kësaj maskarade çfarë mbrojnë??!!