Home Gjeo-Ekonomia BE-ja planifikon të vendosë sanksione të reja ndaj Turqisë

BE-ja planifikon të vendosë sanksione të reja ndaj Turqisë

Liderët e Bashkimit Evropian kanë vendosur të premten, që të krijojnë një listë me sanksione, në kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Turqisë, që ka kryer eksplorime për gaz në ujërat e Greqisë dhe Qipros.

“Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe ka përshkallëzuar retorikën e saj ndaj BE-së, shteteve anëtare të BE-së dhe liderëve evropianë”, thuhet në deklaratën e publikuar pas debatit të liderëve të BE-së në samitin që po mbahet në Bruksel.

“Veprimet e njëanshme dhe provokimet në Mesdheun Lindor ende po vazhdojnë, përfshirë edhe në zonën ekonomike të Qipros”, thotë deklarata.

Një diplomat tha për agjencinë AFP se sanksionet do të kenë në shënjestër individë dhe se blloku evropian do të ndërmarrë edhe masa të tjera, “nëse Turqia vazhdon me veprimet e saja”.

Ministria e Jashtme turke ka thënë se kjo listë e re e sanksioneve nga BE-ja është “e njëanshme” dhe “e paligjshme”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka mirëpritur vendimin e BE-së mbi Turqinë, duke thënë se do të kishte zhgënjim në Greqi dhe Qipro, nëse liderët evropianë nuk do të pajtoheshin për një embargo të armëve apo për sanksionim të sektorëve të ekonomisë turke.

Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se shpreson se mesazhi i dërguar nga BE-ja “do të pranohet në mënyrën e duhur”.

Konkluzionet, që janë publikuar nga Këshilli Evropian, tha se lista do të përpilohet për sanksionet ndaj Turqisë.

Liderët e kanë mandatuar shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell që të përgatisë një raport me më shumë masa ndaj Turqisë, i cili duhet të dorëzohet marsin e ardhshëm.

Para këtij samiti, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se “Turqia nuk shqetësohet për sanksionet që do të ndërmerren nga BE-ja”.

“BE-ja asnjëherë nuk na ka trajtuar me ndershmëri. BE-ja nuk ka mbajtur premtimin që na ka dhënë, por ne gjithmonë kemi qenë të durueshëm dhe ende jemi”, ka deklaruar Erdogan.

Greqia, me mbështetjen e Francës, ka qenë ajo që iniciuar vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Ankarasë, pasi Turqia vazhdimisht kryen eksplorime për gaz, në ujërat e kontestuar.

Përveç eksplorimeve të kryera në Mesdhe, Turqia po ashtu është akuzuar se ka shkelur embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara për Libinë, shtet ku Ankaraja mbështetë qeverinë në Tripoli në luftën civile./ REL

Share: