Jozefina Topalli ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, sot në Top Talk është shprehur e indinjuar nga Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, duke theksuar se ky i fundit tradhtoi në radhë të parë anëtarët e partisë dhe më pas edhe vendin tij.
Ish numri dy i PD-së tha e prerë se për sa kohë Basha do jetë në opozitë, kryeministri Edi Rama do të jetë në krye të vendit.
Por si e komenton ajo faktin se “Sali Berisha i dhuroi Bashës PD-në”, duke qenë se ky i fundit erdhi në krye të partisë në saj të ish-kryeministrit.
Denis Dyrnjaja: Basha si faktor politik erdhi në krye të PD, në saj të Berishës. Ju a keni kurajo publike që ta pranoni, se është përgjegjësi e Sali Berishës, peshqeshi që i ka bërë PD dhe opozitës duke sjellë këtë njeri, për të cilën ju keni thënë që janë manipuluar edhe zgjedhjet në garën me Sokol Olldashin?
Jozefina Topalli: “Unë kam folur për zgjedhje të manipuluara në 2017, unë nuk kam votuar ndonjëherë për Lulzim Bashën, por do isha e padrejtë po të mos thoja që të gjithë ne jemi përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet opozita dhe të gjithë ne së bashku jemi përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Nësë ne do rrimë duke pritur, për një tjetër apo për një kohë më vonë, akoma më keq do ndodhet vendi jonë.
Ndaj dhe në një përpjekje jo të lehtë kemi ndërmarrë krijimin e kësaj lëvizje, që nuk është parti në kuptimin tradicional të partive. Është një lëvizje që kërkon të shkundë sistemin, që kërkon të rrëzojë 3 kryetarët që mbajnë politikën , ekonominë, gjithë jetën e Shqipërisë dhe që mendojnë se janë të përjetshëm por jo. Besoj se në 25 prill do kemi befasi të mëdha në skenën politike.Nëse shqiptarët janë të kënaqur ok le t’i votojmë, por unë besoj në reagimin e tyre dhe ndoshta është momenti që pas 3 dekadave duhet të mbyllin ciklin”.
Top Channel