Dhjetra prindër të të rinjve të arrestuar në protestat e ditëve të fundit, mes të cilëve edhe xhaxhai i “Dëshmorit të Atdheut”, Ibrahim Basha, kërkojnë fëmijët nga njëri komisariat në tjetrin, pa marrë asnjë informacion për fatin e tyre. Prindërit akuzojnë policinë për arrestime të paligjshme.
Nga Vladimir Karaj, Edmond Hoxhaj | BIRN |
Shkëlqim Q., 55 vjeç, ka lënë punën të dielën dhe me rrobat e ndotura nga copëza të ngrira llaçi dhe njolla gëlqereje, e ndaloi motorçikletën gjysmë të ndryshkur para derës së komisariatit të policisë nr.3 në Tiranë.
Shkëlqimi kërkon të birin e arrestuar prej së enjtes -pas natës së parë të protestës që shpërtheu pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i Policisë së Tiranës. Por oficeri i policisë që shërben tek informacioni i komisariatit nr. 3 nuk e ka dëgjuar mbiemrin.
Këmbënguljes së Shkëlqimit, ai i përgjigjet duke rrëmuar nëpër xhepa, prej nga nxjerr copa letrash. Njëra prej letrave qëllon të jetë një listë.
“Nuk e kam atë mbiemër,”përgjigjet oficeri i policisë, pasi i hedh një sy listës dhe lexon me zë të lartë disa nga mbiemrat aty. Ai sqaron se disa nga të arrestuarit ishin shoqëruar në Kavajë.
“Edhe Kavaja e Tiranës është,” thotë polici, duke nënkuptuar varësinë nën Drejtorinë Rajonale të Policisë Tiranë. “S’kishim më vend këtu,”shton ai.
Shkëlqimi, punëtor ndërtimi në Tiranë, këmbëngul me njëfarë përulësie dhe me zë të ulët që me zor dëgjohet se nga Kavaja, të afërmit i kishin thënë se të birin ia kishin sjellë në Tiranë. Ai kishte qenë më parë në dy komisariate të tjera, kishte pyetur në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe në fund priti disa orë para Gjykatës së Tiranës, me shpresën se mund ta shihte të birin.
Djali i Shkëlqimit quhet Eljan, është 20 vjeç dhe punon në një fabrikë letre në Tiranë. Ai pritej të paraqitej në Gjykatën e Tiranës të dielën për masë sigurie, por ndërsa pret aty për orë të tëra, i ati nuk arrin të mësojë asgjë. Ai thotë se i biri nuk kishte qenë në protestë, se kishte dalë pas punës me shokët dhe se ai nuk di më shumë se kaq. “Djali im ka dalë në punë që i vogël,” thotë Shkëlqimi. “Nuk shkon ai të qëllojë policinë”.
Në rrugën para Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës, BIRN foli me një duzinë prindërish e të afërmish që kishin të njëjtin shqetësim me Shkëlqimin. Në gjykatën e rrethuar nga policia që në mëngjes, ishte njësoj e pamundur të mësoje se sa prej të arrestuarve gjatë protestave të katër ditëve të fundit ishin sjellë për masë, kush po mbahej në burg dhe kush do të lirohej. Nëna dhe baballarë të shqetësuar pritën nga mëngjesi deri në 3 pasdite dhe u larguan pa mësuar për fatin e fëmijëve, kryesisht të moshave 17-21 vjeç.
Ajo që prindërit dinë është se një pjesë e mirë e të arrestuarve janë zhvendosur fillimisht nga një komisariat në tjetrin në Tiranë dhe kur këto janë mbushur plot, mjaft prej tyre janë dërguar në Kavajë, Elbasan dhe Durrës. Prindërit pretendojnë gjithashtu se fëmijët u janë arrestuar pa shkak.
Margarita Kola, avokate e dy prej të arrestuarve, i tha BIRN se mosnjoftimi i familjarëve ishte shkelje e ligjit, ndërsa shtoi se nuk kishin pasur informacion se kur do të paraqiteshin në gjykatë. “Familjarët nuk janë lajmëruar ku ndodheshin fëmijët dhe kjo është shkelje ligjore, pasi mjaft prej tyre janë edhe minorenë. Familjarët nuk e dinin ku i kishin fëmijët,” tha Kola.
Ajo shtoi gjithashtu se mori në mbrojtje vullnetarisht një nga të rinjtë, pasi për të nuk ishte paraqitur asnjë avokat.
“Fëmijët e humbur” dhe masat e sigurisë
Avokatja Margarita Kola mbron dy të rinj të arrestuar nga policia. Ajo e konsideron shkelje te ligjit mosnjoftimin e familjarëve se ku i kanë fëmijët.
Nga rreth 85 persona të arrestuar të premten dhe të shtunën pas protestave në Tiranë, vetëm 17 u paraqitën të dielën për masë sigurie në gjykatë. Prokuroria kërkoi vetëm 6 masa arresti me burg, ndërsa gjykata pranoi vetëm 3 prej kërkesave, për protestues të cilëve u ishin gjetur mjete të forta gjatë arrestit. Pesë të arrestuar u lanë në arrest shtëpie, ndërsa për 9 prej të ndaluarve u caktua masë sigurie “detyrim paraqitje”. Tre nga të arrestuarit ishin të mitur, ndërsa pjesa tjetër nga 18 deri në 25 vjeç.
Avokatët mbrojtës që folën pas seancave, thanë se ndaj të ndaluarve nuk kishte asnjë provë veç procesverbaleve, sipas tyre njëanshme të oficerëve të policisë që kishin bërë ndalimin. “Asnjë video, asnjë foto,” tha njëri prej avokatëve. Njëri prej avokatëve tha se e vetmja provë ndaj klientit të tij ishte një dorezë hekuri, që u konsiderua armëmbajtje pa leje.
Avokatja Margarita Kola i tha BIRN se njëri prej klientëve të saj ishte “nxënës i shkëlqyer, me të gjitha 10-ta” i vitit të tretë në gjimnaz, i cili akuzohej për “pengim të qarkullimit të mjeteve”. Ai ishte kapur sipas saj duke marshuar në rrugë.
I riu tjetër, që Kola tha se e kishte marrë në mbrojtje vullnetarisht, ishte kapur me një shkop druri brenda në xhup. “Por nuk e ka përdorur dhe nuk ka kryer asnjë akt dhune,” tha avokatja, duke shtuar se të dy u lanë me masë “detyrim paraqitjeje”. Avokatët me të cilët BIRN foli thanë se klientët e tyre nuk kishin shenja dhune dhe nuk u ishin ankuar për dhunë në komisariate.
Masat e sigurisë u zhvilluan në një situatë gati të pazakontë. Dhjetëra punonjës të policisë u rreshtuan në një anë të rrugës, ndërsa në gatishmëri gjatë gjithë kohës pranë gjykatës, qëndruan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ndryshe nga raste të ngjashme, hyrja në gjykatë për të marrë informacion apo edhe për të parë kalendarin apo emrat e personave që prisnin të gjykoheshin ishte e ndaluar edhe për avokatët, që pritën në këmbë jashtë gjykatës për të dëgjuar nëse thirreshin emrat e klientëve të tyre.
Shumë prindër pritën po ashtu më kot përmbi tetë orë në dyert e gjykatës. Avokatja Margarita Kola e cilësoi shqetësues faktin që të afërmit nuk e dinin se ku i kishin fëmijët.
Emin Basha, babai i një 18 vjeçari që u arrestua nga policia të enjten, priti gjithashtu më kot para derës së gjykatës, pasi i biri nuk u paraqit për masë. Basha është xhaxhai i Dëshmorit të Atdheut, Ibrahim Basha- punonjësi i policisë që u vra në vitin 2015 gjatë një operacioni në Lazarat. Ai mohon kategorikisht akuzat për të birin.
“Nuk kanë shanse fëmijët e mi, me dalë me gjujt në gurë policinë, as me sha policinë, asnjë gjo, se s’kanë pse. Se shajnë veten e vet, se janë fëmijët e vëllait tim ata që janë policë,” tha Basha i revoltuar.
Basha tha se policia i kishte ndaluar të dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve i mitur, i cili ishte liruar po atë natë. Ai thotë se fëmijët po shkonin në ditëlindjen e një shoku dhe se asnjëri prej tyre nuk kishte qenë në protestë. Ai ankohet gjithashtu se policia po ndalon të pafajshëm, në vend të atyre që kanë kryer krime.
“Të nderuar policë! Mos u bëni vegla të pushtetit, por jini Policia e Shtetit edhe shërbejini shtetit,” tha ai, ndërsa ankohet se politika po shfrytëzonte sipas interesit situatën.
“Ky digjet, njërit i digjet zemra se i vret djalin, tjetrit i digjet zemra se ngelet djali në burg për gjithë jetën dhe pushtetarët fërkojnë duart,” shtoi i revoltuar ai.
Akuza të ngjashme për ndalime pa arsye kanë edhe të tjerë prindër dhe të afërm. Motra e njërit prej të arrestuarve, që priti për informacion pranë komisariatit nr.3, tha se vëllai i saj ishte duke u kthyer nga puna në shtëpi kur ishte arrestuar.
“Ai nuk ka bërë asnjë akt që ta mbajnë në qeli. Ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar,” tha vajza që kërkoi të mos i përmendej emri, ndërsa shtoi se i vëllai rrezikonte të humbiste punën.
Një grua që u prezantua me mbiemrin Ndregjoni i tha BIRN se i biri 18 vjeçar ishte arrestuar sapo kishte dalë nga puna në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë.
“Punon shpërndarës ushqimi, brenda për brenda qendrës,” tha gruaja, që shtoi se e kishte mësuar arrestimin të nesërmen, pasi e dinte që i biri ishte te një shok. Të nesërmen ajo mësoi se i biri dhe shoku i tij ishin arrestuar, ishin shëtitur në tre komisariate në Tiranë dhe të dielën, kur priteshin në gjykatë, ishin me gjasë në Durrës ose Elbasan.
Ndër të ndaluarit ‘pa arsye’ ishin edhe të mitur që BIRN i takoi mbrëmjen e të shtunës në hyrje të komisariatit Nr.3. “Na shoqëruan sapo dolëm nga berberi, po u qethshim. Ishin ca persona, kishin ca kapsolla në xhep. Ne nuk kishim lidhje me ato dhe ai polic gërdapi më shajti,” thotë një 16 vjeçar, që u la i lirë pas një ore e gjysmë së bashku me shokun e tij 15-vjeçar. Ai pretendoi se se punonjësi i policisë ishte civil dhe nuk u kishte shpjeguar asgjë.
Revoltë dhe mungesë shprese
Familjarë të protestuesve të arrestuar në Gjykatën e Tiranes.
Aldo dhe Eraldi, të dy 19 vjeçarë, kanë përbuzje dhe shpërfillje ndaj gjithçkaje që ndodh rreth tyre; për politikën, gazetarët dhe për policinë- sidomos policinë. Së bashku me nja 4 miq të tyre, të veshur me tuta të zeza dhe xhupa “Monclair” pa mëngë, ata rrinë gati 50 metra nga dera e gjykatës, ku presin të dalë Miri, shoku i tyre i arrestuar.
“Këtu nuk ka shpresë për asgjo. Nuk bohet ky vend,” thotë Eraldi në dialekt të Tiranës. Ai thotë se në protestë nuk kanë dalë për të ndryshuar situatën, por se policia ua “kishte nxirë jetën”. “Sa të shofin të ndjekin nëpër lagje,” thotë ai, ndërsa shan dhe pështyn herë pas here.
Kur i pyet nëse policia i ka qëlluar apo nëse shoku i tyre i arrestuar ishte rrahur, ata marrin poza të forti. “Nuk guxojnë të merren me ne,” thotë Aldo. “Dinë ku rrafin ata,” shton ai, duke e përjashtuar veten nga të qenit viktimë. “Rrahin ndonjë që nuk ka krahë,”thotë pastaj, duke nënqeshur dhe shtuar ndonjë të sharë pas çdo here që përmend policinë.
Djemtë thonë se fajin e kanë më të rriturit që nuk kanë protestuar dhe nuk protestojnë, ndërsa shajnë në rradhë politikanët kryesorë në vend. “Këta e rropën këtë vend,” thotë Eraldi, mbështetur me kurriz pas një makine. Aldo thotë se e vetmja arsye pse kanë qëndruar në Shqipëri është pandemia. “Asnjë ditë nuk do rrimë këtu,” thotë ai. “Çfarë do bëjmë me 300 mijë lekë (të vjetra) rrogë, me borxhe”!
Sabire Hoxhaj, nëna e një prej të ndaluarve nga policia, teksa priste të përfundonte seanca për caktimin e masës së sigurisë për djalin e saj të dielën, i tha BIRN se i biri nuk kishte ushtruar dhunë dhe se ndalimi ishte shkelje e së drejtës për të protestuar.
“Djali im është student dhe ka të drejtë të protestojë. Sidomos për të protestuar për të drejtën, pas një ngjarje të tillë,” tha Hoxha, mësuese e matematikës dhe ish-kryetare e Komunës Fratar, si kandidate e Partisë Demokratike.
Hoxha kundërshtoi akuzat se i biri kishte përdorur dhunë.
“Unë e di se çfarë djali kam dhe im bir nuk kryen veprime të dhunshme apo të dëmtojë pronën publike. E kanë ndaluar vetëm pse po qëndronte në protestë, pa kryer asnjë veprim të paligjshëm,” tha Hoxhaj për të birin 23-vjeçar, Emiraldo Hoxhaj.
Ajo tha se nuk ishte njoftuar për situatën e të birit gjatë këtyre ditëve dhe shton se nuk ishte njoftuar as për transferimin e tij në Elbasan. Edhe pse ajo priti të dielën para gjykatës, i biri nuk u paraqit të dielën për masë.
Një grua, që i tha BIRN se ishte halla e njërit prej të arrestuarve, pretendoi duke akuzuar qeverinë për dhunë politike. Ajo pretendoi se nipi i saj po mbahej në qeli vetëm se ishte kapur me teserë të PD-së në xhep. Ajo sulmoi qeverinë se po instalonte diktaturën, ndërsa debatoi me policinë që ruante dyert e gjykatës, në pamundësi për të marrë informacion.
“Nuk duhet të jetë këtu dera e policisë,” tha ajo, duke iu drejtuar punonjësve me uniformë.
“Si ma arreston ti mua djalin dhe nuk më njofton mua. Si e merr t’i djalin dhe e dërgon direkt në komisariat. Ça është ai, lëvozhgë,” tha gruaja me tone të ashpra./Report.al