Home Gjeo-Ekonomia 2020 Ishte Viti i Kinës! Nga Genc Mlloja

2020 Ishte Viti i Kinës! Nga Genc Mlloja

Ka një dakordësi pothuajse të plotë në vlerësime të qarqeve të ndryshme të specializuara politike, ekonomike dhe sociale ndërkombëtare, të cilat sintetizohen në përcaktimin e 2020 si ‘viti i Kinës’ kohë kur ky vend arriti të mposht pandeminë kovidiane në një periudhë rekord si dhe të përballojë pasojat e saj shkatërrimtare duke shënuar arritje politike, ekonomike, tregtare dhe sociale që kanë qënë mbreslënëse.

Sido që të jetë 2021 nuk ka asnjë dyshim se 2020 shënoi histori suksesi për Kinën, populli i të cilës dhe udhëheqja e saj janë të vetëdijshëm për çfarë kanë arritur pasi u kanë bërë ballë sfidave të paprecedenta dhe të papara që prej shumë dekadash. Kina ka hyrë në vitin 2021 si fuqia e vetme kryesore në botë me rritje ekonomike (një mesatare vjetore prej më shumë se 2 përqind) përkundrejt fuqive të tjera të mëdha si SHBA, Britania e Madhe dhe shumë vende të tjera në Europë apo pjesë të tjera të rruzullit tokësor të cilët kanë regjistruar rënie të konsiderueshme të GDP-së dhe treguesve të tjerë ekonomikë dhe tregtarë duke patur në sfond parashikime të zymta.

Në të njëjtën kohë kjo histori suksesi shumëplanëshe në kohë të pazakonta kur rimëkëmbja e ekonomisë botërore shfaqet e pafuqishme ka ofruar shpresa për rikthim të rritjes ekonomike globale. Megjithatë triumfi kinez nuk u ka shkuar për shtat disa fuqive, propaganda e të cilave iu kthye kartës së konsumuar të të drejtave të njeriut, gjojës së keqtrajtimit të pakicave autonome, Hong Kongut e të tjera si këto që nuk tingëllojnë aspak të reja për opinionin publik të brëndëshëm apo ndërkombëtar. E për më tepër kur duke filluar nga 1 janari i këtij viti Kina zuri vendin e saj të anëtarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut me një mandat tre-vjeçar, sepse sikurse vinin ne dukje vendet që mbështetën kandidaturen e saj, autoritetet kineze kanë shprehur bindjen se qëndrimi ndaj të drejtave të njeriut ëshë karakterizuar nga vullneti dhe besimi për të shkëmbyer përvojë në këtë fushë larg klisheve të vjetëruara të përpiluara sipas pikëpamjes së Perëndimit kur edhe në këtë fushë benin ligjin.

‘Përpjekjet e zakonshme krijuan histori legjendare’

Shumë përgjigje se si Kina e ktheu këtë fatkeqësi sa tragjike nga ana njerëzore aq edhe shkatërruese ekonomikisht në ngadhënjim, gjërësisht e krahasuar me situatën e pas Luftës së Dytë Botërore, i ka dhënë më së fundit President Xi Jinping në mesazhin e urimit për Vitin e Ri 2021 nëpërmjet Grupit Mediatik të Kinës dhe internetit.

Të pazakonshëm e quajti Presidenti Xi vitin 2020 por çelsin e fitores përballë pandemisë së papritur të COVID-19 e gjeti tek populli dhe forca e bashkimit dhe këmbënguljes. “Përpjekjet e zakonshme krijuan histori legjendare, heronjt dolën nga gjiri i popullit. Çdokush ka qenë i mrekullueshëm!” u shpreh Xi, i cili u kujdes të vlerësonte secilin për punën dhe qëndresën e bërë në këtë përballje kur u shkruajt epika e luftës kundër epidemisë. “Jam krenar për atdheun e popullin tonë të madh, jam krenar për shpirtin tonë kombëtar të vetëpërmirësimit!”

Sipas tij plani i 13-të 5-vjeçar u mbyll me sukses dhe Plani i 14-të 5-vjeçar është hartuar në mënyrë të gjithanshme. “Ne po shpejtojmë formimin e strukturës së re të zhvillimit dhe po zbatojmë thellësisht zhvillimin me cilësi të lartë. Kina është e para ndër ekonomitë kryesore në botë që realizoi rritje sivjet. Sipas parashikimeve, vlera e përgjithshme e prodhimit të brendshëm bruto të Kinës në vitin 2020 mund t’i kalojë 100 trilionë juanët”, tha në mesazhin e tij Xi, i cili vuri në dukje ndër të tjera edhe arritjet e rezultateve të mëdha në misionet shkencore si sonda e Marsit “Tianwen-1”, sonda hënore “Chang’e-5”, mjeti i zhytjes në thellësi të mëdha “Fengdouzhe” e të tjera.

Kthimi i Kinës në një shëmbull triumfi mbi virusin, që e bëri tërë botën të kthejë sytë më fort nga ajo, erdhi në rradhë të parë nga vënia nën kontroll e pandemisë në atë vend ku jeton e punon një popullsi prej 1.4 miliard banorësh brënda një periudhe prej më pak se 10 javësh. Dhe nga ana tjetër çfarë ka tërhequr vëmëndjen në rastin kinez në ndryshim nga pjesa dërmuese e vendeve të botës është se ajo nuk u mbyll në vetvete duke mos parë çfarë po ndodhte në botë dhe ndërsa përballej brënda vendit me pandeminë udhëheqja e Pekinit u zgjati dorën solidare të ndihmës vendeve të shumta në kontinente të ndryshme të globit.

Duke patur luftën kundër pandemisë në qëndër të vëmëndjes pikërisht në ditët e fundit të dhjetorit 2020 Kina dhe BE-ja shpallën përfundimin e bisedimeve mbi marrëveshjen e investimeve një arritje për të dy palët që kishte nisur prej vitit 2014. Një video-takim i Presidentit Xi me kancelaren gjermane Angela Merkel, homologun francez Emmanuel Macron, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen më 30 dhjetor 2020 shënoi ‘vulosjen’ e përfundimit të bisedimeve mbi këtë marrëveshje historike në afatet e parashikuara hollësitë e fundit të se cilës u dakordësuan gjatë takimeve intensive në nivelin më të lartë veçanërisht gjatë periudhës shtator-tetor të vitit të kaluar.

Marrëveshja e investimeve Kinë-BE pasqyron vendosmërinë dhe besimin e palës kineze për nxitjen e hapjes së nivelit të lartë dhe do t’u shërbejë investimeve të ndërsjella midis Kinës dhe Evropës në uljen e pragut për hyrjen e tregut të palës tjetër, krijimin e mjedisit më të mirë të biznesit, ofrimin e garantimit më të fortë institucional dhe një perspektivë më të ndritshme bashkëpunimi, u shpreh Xi. Presidenti kinez e shikonte këtë marrëveshje si nxitje të rimëkëmbjes së ekonomisë botërore pas pandemisë, forcim të liberalizimit dhe lehtësimit të tregtisë dhe investimeve globale, forcim të besimit të bashkësisë ndërkombëtare për globalizimin ekonomik dhe tregtinë e lirë dhe kontribut më i madh për formimin e një ekonomie të hapur botërore.

Kurse në deklaratën e Brukselit zyrtar kjo marrëveshje konsiderohet e një rëndësie ekonomike madhore dhe theksohet se ajo i angazhdon palët në një marrëveshje të bazuar në vlera në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Marrëveshja mbi investimet midis Kinës dhe BE-së që mbylli vitin e mbrapshtë 2020 përbën, faktikisht, një arritje për të dy palët, por mund të thuhet se për BE-në ky akt shënoi edhe një emancipim të këtij grupimi politiko-ekonomik sa i përket kapërcimit të presioneve të jashtëzakonshme të administratës amerikane të Donald Trump kundër saj.

Ka mundësi, sipas disa analistëve, që administrata e re amerikane nën drejtimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden ti rishikojë kundërshtitë e mëparshme të SHBA ndaj zhvillimit normal të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Kinën duke parë se çdo përpjekje izoluese është e kotë dhe metodë e vjetëruar e kohës së ‘luftës se ftohtë’ që tashmë i përket të kaluarës. Jehona e ‘mosbindjes’ europiane ndaj Uashingtonit do të bëhet më e kumbueshme kur Biden të marrë zyrtarisht postin presidencial më 20 janar 2021.

Kurse në mesazhin tij të urimit për zgjedhjen president drejtuar Joe Biden në nëntor 2020 Presidenti Xi shprehte shpresën për të kapërcyer ndryshimet dhe përmirësuar bashkëpunimin.

Por do të kujtohet për një kohë të gjatë dhe vlerësohet si ‘degë ulliri’ jo vetëm ndaj SHBA, BE-së e fuqive të tjera të mëdha por botës mbarë çfarë deklaroi solemnisht Presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e mbajtur me rastin e 75- vjetorit të OKB-së ne shtator të 2020 se “Kina nuk synon të bëjë as Luftë të Ftohtë as të ngrohtë me asnjë vend”.

Në këtë frymë të autoritetit në rritje të Kinës në arenën ndërkombëtare mund të shikohet edhe nënshkrimi i Partneritetit të Përgjithshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) më 15 nëntor midis Kinës dhe partnerëve ekonomikë të Azisë Juglindore, Japonisë, Koresë se Jugut, Austrialise dhe Zelandës së Re. E konsideruar si ‘mega marrëveshje e tregtisë së lirë’ analistë të ndryshëm vënë në dukje rëndësinë e formatit të këtij blloku tregtar që anashkalon SHBA e politikën e tyre izolacioniste.

‘Rruga e Mëndafshit’ në zhvillim

Si pjesë e mega projektit ‘Një brez, një rrugë’ transporti hekurudhor mori një zhvillim të shpejtë duke i shkurtuar distancat e komunikimit të Kinës me Europën në gjurmët e trasesë së vjetër të ‘Rruges së Mëndafshit’. Mund të duket e pabesueshme por realiteti flet vetë: trenat e rregullt Kinë-Europë bënë gjithësej 12.400 udhëtime në vitin 2020, çka ishte një volum prej 50 përqind më i lartë se në vitin 2019. Kryemenaxheri i Grupit Shtetëror Hekurudhor të Kinës Lu Dongfu duke bërë një bilanc për vitin e kaluar zbuloi në ditët e para të janarit 2021 sa më poshtë: “Gjatë tërë vitit (2020), trenat ekspres Kinë-Europë kanë bërë 12.400 udhëtime, duke dërguar 1.135.000 kontejnerë standard, përkatësisht 50 përqind dhe 56 përqind më shumë se një vit më parë. Niveli i ngarkesës së kontejnerëve arriti në 98.4 përqind”.

Dhe është për tu shënuar se pjesa më e madhe e materialeve antiepidemike në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19 u transportuan me këto trena duke shkurtuar në maksimum kohën e transportit për këta furnizime urgjence solidariteti për shumë vende të kontinentit europian.

Edhe Shqipëria e ka ndjerë këtë solidaritet në këtë drejtim nga Kina, e cila megjithë vështirësitë, i ka dhuruar palës shqiptare disa herë materiale mjekësore antiepidemike. Krahas kësaj ekspertë dhe mjekë kinezë kanë shkëmbyer eksperiencat kundër pandemisë me palën shqiptare në mënyrë virtuale, deklaroi Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding në urimet për vitin e ri drejtuar popullit shqiptar.

Me këtë rast Ambasadori Zhou u shpreh optimist se shkëmbimi dhe bashkëpunimi midis dy vendeve në fusha të ndryshme po ecin përpara. “Kina vazhdon të mbetet partner i rëndësishëm i tregtisë për Shqipërinë. Sipërmarrjet shqiptare marrin pjesë aktivisht në Ekspo-në e 3-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, si dhe aktivitete ekonomiko-tregtare në kuadër të Bashkëpunimit 17+1. Produktet cilësore bujqësore shqiptare po zgjerojnë eksportet e tyre në tregun kinez. Ne mbështesim dhe angazhohemi aktivisht në rindërtimin pas tërmetit dhe rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Ne mbështesim me financim punën arsimore e kulturore të Shqipërisë, si dhe familjet në vështirësi. Pata edhe nderin që, bashkë me miqtë shqiptarë, të mbjellim pyllin e miqësisë kino-shqiptare në Parkun e Liqenit, si një dhuratë për 100-vjetorin e kryeqytetit të Tiranës”. Sa më sipër ishte pjesë e bilancit që bëri kryediplomati kinez ne Tiranë në mesazhin e tij të cilin e mbylli me urimin: “Në vitin 2021, unë, bashkë me popullin miqësor shqiptar, do të thellojmë më tej miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve tona”.

Por duke kapërcyer formatin diplomatik analistë shqiptarë, përfshi edhe mua, nuk kanë hezituar të shprehin paknaqësi për nivelin e ulët të bashkëpunimit të Shqipërisë me Kinën, dhe ata nuk gjejnë kurrfarë justifikimi në pretendimin për rrezikun që paraqet rritja e pranisë kineze në Shqipëri. Edhe më absurde e madje foshnjore e bëjne këtë pretendim faktet e vendeve përreth për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me Kinën në plan bilateral dhe të mekanizmit ‘17+1’. Nuk është nevoja të shkohet më larg kufijve të Shqipërise, por çfarë po ngjet në bashkëpunimin midis Italisë dhe Greqisë, të dy vende kyçe të BE-së dhe NATO-s, me Kinën është shumë kuptimplotë.

2020 quhet me të drejtë ‘viti i Kinës’ se krahas shumë zhvillimeve të spikatura, që nuk mund të përfshihen në një shkrim, shpallja nga Presidenti Xi më 4 dhjetor 2020 se pas 8 vitesh përpjekje të vazhdueshme Kina ka përfunduar detyrën e zbutjes së varfërisë në epokën e re sipas planit në dhjetor duke nxjerrë rreth 100 milionë njerëz nga varfëria ka qënë ngjarje tejet e rëndësishme për vendin dhe mbarë njerëzimin. Brënda vendit dhe jashtë tij ishin të shumta vlerësimet duke e quajtur atë ‘arritje historike’. Kësisoj Kina ka hyrë në analet e historisë si vendi i parë në zhvillim në botë që plotëson një ndër Objektivat e Mijëvjeçarit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (United Nations Millennium Development Goals) sa i përket varfërisë. Kjo arritje merr vlerë më të madhe po të kemi parasysh se ngjet në kushtet e krizës së pandemisë globale COVID-19 kur Banka Botërore shpreh shqetësimin se një numër prej 88 milion njerëzish u shtohen 115 milionë njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme më 2020 në botë duke e çuar këtë shifër në kuotën e 150 milion njerëzve.

2021 është Viti i Kaut për Kinën dhe sipas traditës së lashtë kau simbolizon forcë, guxim dhe këmbëngulje. Sado që një përcaktim i tillë i përket lashtësisë në mënyrë simbolike ai i përshtatet realitetit të gjërave në Kinë dhe perspektivës për ditë më të mira. Por duke shikuar kalendarin politik ky vit përkon me përvjetore historike ndër të cilët kulmon 100-vjetori i Partisë Komuniste të Kinës, e cila u themelua më 23 qershor 1921. Po kështu pritet që në gjysmën e parë të këtij viti të shpallet zyrtarisht ndërtimi i një shoqërie të begatë të moderuar synim ky i shpalosur nga Ten Hsiao Pin para 40 vjetësh kur filloi hapja e vendit ndaj botës.

Sikurse po e dëshmojne edhe ditët e para të 2021 sfidat do të jenë të mëdha jo vetëm për Kinën por për mbarë botën dhe fundi i pandemisë dhe rikuperimi i pasojave të saj kërkojnë një kurs të ri me qasje kah multilateralizmi dhe bashkëpunimi konstruktiv. Kurse duket qartë se populli kinez dhe udhëheqja e tij e shikojnë rrugën drejt përparimit si të vetmen alternativë për të realizuar objektivat e zhvillimit të mëtejshëm në të mirë të tyre dhe mbarë njerëzimit./CRI

Share: