Home I pakategorizuar I mori para dhe i la nënën të vdiste tek spitali Covid-2,...

I mori para dhe i la nënën të vdiste tek spitali Covid-2, pranga sanitares

Policia ka arrestuar sanitaren e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi, cila i merrte para një vajze, që kishte nënën e saj të shtruar në spital.

Sanitarja i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, Alldervishi e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë.

Ndëkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Arrestimi i sanitares erdhi pas denoncimit të bërë në emisionin investigativ “Stop”, ku rezultonte se Tire Alldervishi ishte prezantuar si infermiere tek shtetasja E. S., duke i marrë 8 milionë lekë për t’i shpëtuar të ëmën 55 vjeçe, por që kjo e fundit kishte ndërruar jetë te Spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”. Bëhet me dijes e aktualisht nën hetim janë edhe 4 persona të tjerë në këtë spital të dyshuar për korrupsion.

Pas bërjes publik të rastit të korrupsionit, mbrëmë ka reaguar menjëherë Ministra e Shëndetësisë. Përmes një njoftimi ministria ka dënuar veprimin e rëndë të sanitares, duke urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të saj, nërsa ka kërkuar edhe hetimin e plotë për rastin.

“Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.”- citohet në njoftim.

Njoftim i plotë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.

Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.

Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon./ Opinion.al

Share: