Nga Endrit Hoxhaj
Media sociale sa është e mirë aq edhe përmban rreziqe për adoleshentët dhe të rinjtë! Adoleshenca është koha më e rëndësishme e zhvillimit të fëmijëve, por gjatë saj ata shfaqin moskontroll të vetvetes. Janë të paaftë për të kontrolluar veprimet e tyre dhe prezantojnë një rrezik të rritur ndaj bashkëmoshatarëve. Parë nën këtë këndvështrim, mediat sociale janë të dëmshme për ta edhe nga ana shëndetësore.
Në këtë moshë adoleshentët janë të rritur fizikisht dhe seksualisht. Pornografia që ofron media sociale, njohja me njerëz të panjohur me anën e mesazheve, fotografive dhe videove, sjell rrezikshmëri të lartë tek adoleshentët. Viktimat e medias sociale, manjakët mendorë, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënitë e padëshirueshme, janë rritur ndjeshëm në këtë periudhë pandemie.
Në moshën e adoleshencës fëmijët mendojnë se dinë gjithçka. Për të shmangur ekspozimin e tyre në mediat siociale, duhet ndihma e mësuesit, stafit të shkollës, vetë familjes dhe e komunitetit. Media sociale është një burim i mirë për argëtimin e shoqërisë sonë, por vetëm kaq. Adoleshentët dhe të rinjtë kanë akses në 90% të mediave sociale. Ekspozimi ndaj rreziqeve që ato sjellin, po i japin efektet e tyre tek shoqëria që po projektohet.
Përdorimi i internetit ka padyshim të mirat e tij, nëse ato do ishin në sasinë e duhur. Interneti i ndihmon të rinjtë në ekspolorimin virtual dhe marrjen e informacioneve nga një burim zyrtar, por jo çdo informacion është i sigurtë dhe i saktë. Në internet, rreth 90% e infomacioneve, mendoj janë të pasakta, për shkak të aksesist që ka çdokush në të. Gjithkush mund të shkruajë pa fakte dhe pa prova për çdo gjë që mund të dojë, e të tjerët e ta lexojnë atë.
Kështu, keqinformimi është një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë sonë. Të mos harrojmë se mediat sociale përdoren gjerësisht nga fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë. Keqinformimi ndikon në formimin e karakterit a mendjes së tyre, ndaj për këtë mendoj që fëmijët nën moshën 18-vjeç, nuk duhet të kenë akses në mediat sociale. Është tjetër lloj aksesi, ai, kur kjo grupmoshë delikate, mund të lexojnë libra dhe kuriozitete online…
Sulmi në internet ndaj adoleshentëve dhe të rinjve përcaktohet si akt agresiv, që synon t’i dëmtojë ata. Sipas një studimi, 20-40% e adoleshentëve, raportojnë se kanë qenë viktima të sulmeve në internet. Ngacmimi tradicional dhe sulmimi në internet shoqërohen me rritjen e ankthit, depresionit dhe vetëvlerësimit të ulët tek adoleshentët.
Ngacmimi, gjithashtu është shoqëruar me efekte të tjera shëndetësore e fizike, duke përfshirë dhimbjet e stomakut, problemet me gjumin, dhembjen e kokës, tensionin, lodhjen dhe oreksin e dobët. Studimet e fundit kanë treguar, që ngacmimi, shoqërohet me rritjen e përdorimit të narkosubstancave, sjelljen e dhunshme, sjelljen e pasigurtë seksuale, vetëvrasjet dhe gjasat për të kryer një krim. Varësia nga interneti ka një patologji për të dhënë modele problematikash njerëzore, familjare dhe sociale.
Te adoleshentët, varësia në internet po shkakton depresion, sjellje të pakontrolluar, prishje të gjumit, përdorim të alkoolit dhe duhanit apo mbipeshë. Ekspozimi ndaj materialit pornografik në internet është po aq pervers. Rreth tij, 70% e adoleshentëve të moshës 15 deri 17-vjeçare, raportojnë ekspozim aksidental dhe 72% e studentëve, raportojnë ekspozim të vullnetshëm, para se ata të mbushin 18 vjeç. Gjinekologët duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat shëndetësore te adoleshentët, sepse ekspozimi ndaj pornografisë, ka qenë i lidhur me një qëndrim lejues ndaj seksit të pambrojtur dhe sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, përfshirë këtu partnerin e shumëfishtë, seksin anal, përdorimin e alkoolit apo drogës gjatë seksit.
Ekspozimi ndaj materialit të dhunshëm pornografik, ka qenë i lidhur me sjelljet agresive seksuale të të rinjve. Të dhënat kanë treguar që djemtë e ekspozuar në adoleshencën e hershme, kanë më shumë të ngjarë të përfshihen në ngacmim seksual, në adoleshencën e mesme. Për të gjitha këto vëmendja fokusohet te vigjilenca prindërore, ajo e mësuesve dhe e rrethit tonë shoqëror.
Përgjimi ndaj precedentit negativ, që lind nga pakontrolli i mediave sociale, sa duket i pamundur aq është efikas, kur të gjithë jemi bashkë. Një hallkë bashkëpunimi po u prish, dështimi na shoqëron në “edukimin” e adoleshentëve apo të rinjve tanë!