Home Gjeo-Ekonomia Si Rusia dhe Perëndimi po përpiqen ta dobësojnë njëri-tjetrin

Si Rusia dhe Perëndimi po përpiqen ta dobësojnë njëri-tjetrin

Nga Nicu Popescu, European Council of Foreign Relations

Ndërsa Joe Biden sapo ka marrë detyrën e presidentit, çështja se si do të sillet me Rusinë, do të jetë një nga aspektet përcaktuese të politikës së tij të jashtme. Pjesa më e madhe e debatit për Rusinë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara në dekadën e fundit, është e fokusuar në faktin nëse do të “rivendosen” apo jo marrëdhëniet me Rusinë.

Ky debat është shfaqur në shumë forma:”rivendosja” fillestare Obama-Klinton e vitit 2009; “partneriteti për modernizimin” BE-Rusi; Nisma Mezeberg e udhëhequr nga Gjermania e fillimit të viteve 2010; oferta e BE-së për “angazhimin selektiv” me Rusinë në vitin 2016; përpjekja e udhëhequr nga Franca në vitin 2019, për ta përfshirë Rusinë në dialog pas një samiti në Breganson.

Ky fokus krijon iluzionin e një lavjerrësi politik, që lëkundet midis fazave të angazhimit dhe armiqësisë diplomatike. Por së fundmi ka marrë vrull një prirje më e fortë – ajo e Rusisë dhe Perëndimit, ku secila ndjek një politikë të “dobësimit reciprok”. Dhe kjo ka të ngjarë ta dominojë presidencën e Joe Biden dhe dekadën e ardhshme.

Gjatë pjesës më të madhe të viteve 2000, Rusia e pa ri-ngritjen e saj përmes rritjes së çmimeve të energjisë, rritjes ekonomike, modernizimit dhe krijimit të kompanive shtetërore të fuqishme globale që shesin burime strategjike, por dhe ushtrimit të ndikimit politik.

Por vitet 2010, sollën një ndryshim të plotë të strategjisë. Shpresat e modernizimit ekonomik ishin të pakta. Ndërsa ekonomia e saj u diktua nga tiparet e saj sklerotike, rruga e ri-ngritjes së Rusisë përmes rritjes ekonomike u zbeh.

Për pasojë, Moska është përqendruar gjithnjë e më shumë, në një shteg më të shkurtër për rikthimin në fuqinë e saj të dikurshme, bazuar shumë më pak tek vetë-përmirësimi, dhe shumë më tepër në dobësimin e kundërshtarëve të saj gjeopolitikë.

Kjo strategji ka marrë forma të shumëfishta:joshja e politikanëve të establishmentit, mbështetja dhe financimi i të gjitha llojeve të partive ekstreme të majta ose të djathta; dezinformimi dhe propaganda në internet, herë në mbështetje të forcave politike specifike, dhe nganjëherë thjesht në mbështetje të inkurajimit të kaosit politik.

E gjitha kjo realizohet përmes një politike të përçarjes së aleatëve dhe miqve të Perëndimit, përfshirë brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Rusia ka joshur diplomatikisht dhe ekonomikisht Turqinë dhe Hungarinë, që janë 2 vende anëtare të NATO-s.

Moska ka synuar të dobësojë Perëndimin kudo që është e mundur:përmes përmes vendit kandidat për në BE, Serbisë, që njoftoi kohët e fundit hapjen e një zyre ndërlidhëse ushtarake ruse në Ministrinë e saj të Mbrojtjes; apo në Republikën e Afrikës Qendrore, të cilën Rusia e furnizon  me mercenarë dhe këshilltarë të sigurisë presidentin e vendit; dhe në Libi, Siri, vendet e Gjirit Persik, Egjipt, Izraelin dhe shumë shtete të tjera.

Nga pikëpamja e Kremlinit, kjo politikë ka qenë mjaft e suksesshme. Por ka dështuar në një aspekt madhor:atë të parandalimit që Perëndimit të reagojë në të njëjtën mënyrë. Gjatë pjesës më të madhe të viteve 1990 dhe 2000, BE dhe SHBA refuzuan të dobësonin Rusinë.

Sigurisht, interesat evropiane dhe amerikane donin që ky vend të mos ishte aq i fortë sa dikur Bashkimi Sovjetik, por gjithsesi ata donin që Moska të ishte më i fortë se sa në vitet 1990. Ata nuk dëshironin një shtet të madh të dështuar me armë bërthamore, pasi ai do kërcënonte të prishte të gjitha llojet e ekuilibrave gjeopolitikë.

Madje në vitin 2010, pas luftës së vitit 2008 në Gjeorgji, por në përputhje me rivendosjen e Obamas, BE dhe Rusia nisën një “partneritet për modernizimin”, qëllimi i së cilës ishte qartazi forcimi ekonomik dhe politik i Rusisë, dhe jo dobësimi i saj.

Sigurisht, pushtimi ushtarak i Ukrainës dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014, i dha fund kësaj strategjie. SHBA dhe BE vendosën sanksione ndaj Rusisë, dhe u përpoqën ta izolonin atë në aspektin diplomatik. Të paktën për BE-në, synimi fillestar i sanksioneve nuk ishte domosdoshmërisht dobësimi i Rusisë, por nxitja e saj për t’i dhënë fund destabilizimit të Ukrainës.

Ndërsa Rusia vazhdoi taktikat e saj të destabilizimit në vendin fqinj, sanksionet mbetën në fuqi dhe gradualisht kanë evoluar, disi pa dashje, në një mjet të dobësimit të Rusisë.

Me këto sanksione në fuqi,Moska ka sigurisht jo vetëm më pak shanse për ta modernizuar ekonominë e tij, por edhe më pak para për të investuar tek ushtria e vet apo aleatët e tij.

Ndërsa Rusia dhe Perëndimi, janë të përfshira në një strategji të dobësimit reciprok, që të dyja janë dobësuar gjithashtu edhe vetë. Rritja e populistëve në SHBA, Britani dhe në mbarë BE-në e ka dëmtuar shumë besueshmërinë, kohezionin dhe kapacitetin e politikës së jashtme të Perëndimit.

Kjo qasje vetë-shkatërruese e politikës perëndimore, përputhet me atë të Rusisë, ku udhëheqja e saj ia ka nënshtruar të gjitha burimet e vendit dhe të ardhmen e tij ekonomike, politikës së jashtme dhe synimeve ushtarake në pjesë të mëdha të botës.

Ndërsa administrata Biden  ka nisur të diskutojë strategjinë e Rusisë me aleatët e saj evropianë, ky dobësim i ndërsjellë ka të ngjarë që të vazhdojë më tej. As Rusia dhe as Perëndimi, nuk duken në prag të rishikimit të qasjes së tyre.

Mundësitë për t’u ri-angazhuar do të shfaqen, por që të ndodhë kjo, njëra palë duhet ta ndiejë se po humbet garën. Përndryshe, që të dy palët duhet të vendosin në të njëjtën kohë se politika e tyre po dështon, dhe të dyja duhet të ndryshojnë kursin. Por tani për tani, kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë.

Rusia mendon se ka ecur mjaft mirë në politikën e jashtme. Dhe nga pikëpamja e Perëndimit, disa përpjekje për t’u afruar me Rusisë gjatë dekadës së fundit, nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara. Ofertat e shumta të rivendosjes së raporteve, ngrirja e zgjerimit të NATO-s në Ukrainë dhe Gjeorgji, dhe zbutja e politikave të promovimit të të drejtave të njeriut nën presidencat Obama dhe Trump, nuk i kanë përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Pra, politika e dobësimit të ndërsjellë, ka të ngjarë të dominojë qasjet e të dyja palëve nën presidencën e Joe Biden, dhe ndoshta edhe më tej. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share: