Home KRYESORE 20 shkurt 2021, Pse guxojnë sot e kësaj dite kaq shumë bijtë...

20 shkurt 2021, Pse guxojnë sot e kësaj dite kaq shumë bijtë e hetuesve?

Nga Elona Caslli

20 shkurti 1991, shënon në kujtesën e çdo shqiptari rrëzimin e bustit të një gjakatari të kobshëm si Enver Hoxha.

Unë asokohe kam qenë veç një fëmijë dhe brenda kokës kam imazhe të turbullta të asaj kohe.

Me kalimin e kohës jam përpjekur të formësoj një ide mbi atë kohë.

Nëse 21 shkurti i vitit 1991 e gjeti Shqipërinë me bustin e rrëzuar të Enver Hoxhës, 21shkurti i vitit 2021 e gjen Shqipërinë me Gramoz Ruçin në krye të parlamentit. Ky është një bilanc tragjik.

Përtej Ruçit që është fytyra e kthjellët e atij sistemi, kemi edhe Ruçërit e tjerë, bijtë e hetuesve.

Lind pyetja- Pse guxojnë bijtë e hetuesve kaq shumë në vitin 2021?!

Unë besoj fort se bilanci tragjik i Shqipërisë vjen pasi xhelatët e diktaturës nuk u internuan moralisht. Pse ngulmoj tek internimi moral?!

Ngulmoj tek internimi moral, pasi është internimi më i rreptë që dikush mund të përjetojë. Internimi moral do t’i jepte mundësinë shoqërisë shqiptare të shihte lakuriq xhelatët e saj dhe vetveten njëkohësisht.

Hetuesit duhet të internoheshin moralisht dhe të ndiheshin të përjashtuar nga morali i shoqërisë shqiptare.

Morali i kësaj shoqërie duhet t’i kish gjykuar për të mos harruar të shkuarën dhe duhet t’i kish mbajtur gjallë gjykimin sistematik për të mos u ringjallur në të ardhmen.

Ndërkohë ndodhi krejt e kundërta.

Hetuesit jo vetëm që nuk internuan moralisht, por pushtuan edhe hapësira televizive në dokumentarë duke mos kërkuar asnjëherë falje për gjithçka kishin bërë.

A do të guxonin hetuesit të shfaqeshin në ekran nëse kjo shoqëri do t’i kish internuar moralisht?!

A do të guxonin hetuesit të shfaqeshin në ekran nëse kjo shoqëri do t’i kish zhveshur lakuriq krimet e tyre?!

Të jesh i biri apo e bija e një xhelati, nuk përbën krim, pasi askush nuk zgjedh as vendin ku lind dhe as familjen ku rritet, por të mos distancohesh nga veprimet e xhelatit dhe të krenohesh me këtë të fundit, kjo do të thotë se je, po aq fajtor sa ky i fundit.

Rikthehemi tek thelbi i këtij shkrimi. Pse guxojnë kaq shumë bijtë e hetuesve?!

Bijtë e hetuesve guxojnë kaq shumë, pasi emrin e babait e kanë përdorur si kartëvizitë privilegjesh jo vetëm në komunizëm, por edhe në postkomunizëm.

Në komunizëm kartëvizita me emrin e babait i bënte të paprekshëm dhe në postkomunizëm i bëri të pagjykueshëm, për shkak se hija e rëndë e xhelatit peshonte ende mbi këtë popull të rraskapitur.

Dhe bijtë e hetuesve që nuk dinë të shkruajnë saktë shqip një status të shkurtër në feisbuk, guxojnë të fyejnë këdo pa pasur kurrfarë argumenti, pasi mbi kartivizitën e babait kanë ngritur tërë ekzistencën e tyre.

Me pak fjalë kudo dhe kurdo, njihen si i bijtë e hetuesve.

Nëse do t’i zhvishnim këta njerëz nga atësia dhe do t’u bënim një test të vogël në gjuhën shqipe, me vështirësi do të pranoheshin si roje nate në një objekt ndërtimi e jo më si qënie të spikatura me individualitet publik.

Bijtë e hetuesve kanë të drejtë t’i ngatërrojnë kohët, pasi kartëvizita e babait i mban ende ngrohtë dhe u sjell ende privilegjet e pamerituara, për sa kohë shoqëria shqiptare nuk ua grisi atë kartëvizitë në fytyrë dhe nuk i përplasi në terren për t’u thënë; Kjo është gara e mirëfilltë. Përplasuni me meritokracinë dhe me dijet tuaja.

Kjo nuk u bë kurrë në këtë vend. Bijtë e hetuesve u ngjizën të privilegjuar nga gjaku i shqiptarëve, u rritën të privilegjuar duke pirë gjakun e tyre dhe kam frikë se do vdesin të privilegjuar breda gjakut të shqiptarëve.

Reagimi im kundrejt bijve të xhelatëve është i fortë dhe do të mbetet i tillë, pasi bijve të xhelatëve u duhet thënë njëherë e mirë se; Askush nuk jua ka frikën. Mendohuni dy herë kur të shqiptoni emrin e dikujt, pasi do të përballeni as më pak e as më shumë, veçse me grisjen e kartivizitës që u ka lënë në trashëgimi xhelati juaj dhe e shfaqni me aq zell.

Post Scriptum- Ndërkohë që viktimat e diktaturës nuk dihen ku kanë varrin, xhelatët i ngrysën ditët duke shijuar bregdetin mbi një motoskaf.
Shqipëri 2021 .

Share: