Home KRYESORE Arrestimi i kardiokirurgut/ Faji i mjekut apo i sistemit?

Arrestimi i kardiokirurgut/ Faji i mjekut apo i sistemit?

Rrallë kanë qenë kaq të shumtë njerëzit që janë gati ta mbrojnë publikisht një zyrtar të akuzuar për korrupsion, qoftë ky edhe mjek, se sa në rastin e shefit të kardiokirurgjisë Edvin Priftit. Aktivistë, gazetarë apo politikanë kanë bërë një hap para, për ta thënë publikisht fjalën e tyre pavarësisht të dhënave që media ka nxjerrë nga dosja e SPAK dhe që e implikojnë Priftin në marrjen e ryshfetit të paktën në një rast.

Kardiokirurgu u arrestua në sallën e gjyqit, pasi më herët iu gjetën në shtëpi një shumë e madhe parash, rreth 400 mijë euro dhe që sipas prokurorëve, dyshohet se është siguruar nga pagesat nën dorë për operacionet në QSUT.

Gjithsesi menjëherë pas arrestimit qenë të shumtë ata që u shprehën të pakënaqur duke hapur një debat për arrestimin e mjekut.

Maksim Basho, shefi i imazherisë në urgjencën e QSUT i ka dalë në mbrojte kolegut, ndërsa tregon sakrificat e punës së përditshme.

“Është i fundit që kyç zyrën në pavionin e kardiokirurgjisë për të vazhduar operacionet e tij pranë spitaleve private tashmë. Sa herë të ftonim për kafe, përgjigjen e dinim “kam operacione më presin te privati”, por prapë insistonim, sepse edhe ne kolegët e tu edhe profesorët e tu , 1 minutë më shumë në shoqërinë tënde , është një dije e re për ne . Ajo çfarë më së miri e etiketon Dr. Edvinin , është fjala REVOLUCIONAR. Meritat e Edvin Priftit në specialitetin e tij , meritojnë të shkruhen mbi pllaka ari”, shkruan ai ndër të tjera.

Një nga protestueset aktive për mbrojtjen e Teatrit, Mirela Cela Jorgo, avokatinë ia bën përmes llogarive. Shërbimi në privat është shumë më i kushtueshëm se ryshfetet që mund të paguheshin në QSUT sipas saj.

“… nese keni dhëne 1 mije euro per nje operim teper të veshtire në zemer, shkoni jepni 20 mijë euro tek spitali privat. Vazhdoni kuisjet tuaja se armiku në këtë vend qenka doktor Edvini. Jepini dhe ndoshta e meritoni te mos ketë mjekë të zot që t’ju vizitojnë dhe të vdisni si qen rrugëve”, shkruan ajo.

Deputeti Ralf Gjoni e mbrojti duke sulmuar shoqërinë shqiptare, të cilën e quajti “sovjetike” në tentativën për ta çnderuar publikisht kardiokirurgun.

“Ne sot sulmojmë Edvin Priftin, por kjo shoqëri sovjetike përballet me një rast të kardiologut më të mirë për ta sulmuar atë, për ta çnderuar publikisht, pa menduar se Shqipëria po humbet një nga kardiologët më të mirë vetëm që Edvini tjetër të vjedhë. Pse kaq turp është që një kardiolog të ketë mbi 200 mijë euro? Po për 450 milionë eurot e Rrugës së Kombit çfarë është bërë”, tha Gjoni.

Kundër arrestimit të mjekut ishte edhe një prej gazetareve, që nuk ndodh shpesh të mendojë ndryshe nga prokurorët, Klodiana Lala.

“Prokuroria është nxituar sepse nuk ka pasur kohën e nevojshme për akuzën “pastrimi i parave”, vetëm 20 orë. Nuk është hetuar as akuza e korrupsionit, duhet të vërtetohet që ato para vijnë për shkak të korrupsionit” u shpreh Lala gjatë një interviste.

Një përpjekje për ta justifikuar shumën e parave që u gjend në shtëpinë e doktorit të zemrës, e ka bërë edhe gazetari Lorenc Vangjeli.

“Një prej sqarimeve të thjeshta që mund të jepen vjen nga fakti se ai është një nga kardiokirurgët më të mirë në vend dhe se përveç detyrës në spitalin publik, operon edhe në disa spitale private në vend. Kush ka trokitur në ato dyer, ka një ide të përafërt sesa kushton bisturia e një doktori të këtij niveli, të cilën veç të tjerash e kuoton tregu dhe nevoja. Një shpjegim shtesë që dha Henrik Ligori, një nga penalistët më të shkëlqyer shqiptarë dhe avokat i tij, është se burimi i parave të gjetur vjen nga një transaksion pronash. Dhe një tjetër shpjegim edhe më i thjeshtë gjendet me një kërkim në Google në lidhje me emrin e doktor Priftit: Cenci-Bolognetti & Louis Pasteur apo Memorial Graham Aëard ëorld ëinner, American Association for Thoracic Surgery. Vetëm këto dy çmime kushtojnë pak më shumë se një qind mijë euro.Po kështu edhe mbi një qind publikime shkencore dhe mbi 300 leksione ndërkombëtare që ai ka dhënë në vite, nga Italia e deri në Shtetet e Bashkuara, për të cilat është vështirë të bësh kontabilitet” ka shkruar Vangjeli.

Gazetari Endri Xhafo e quan të padrejtë t’i kërkosh një mjeku si Edvin Prifti që të jetojë me 700 mijë lekë të vjetra, duke pranuar tërthorazi se “sistemi” gjithnjë ka funksionuar në mënyrë të tillë.

“Deri sot mjekët më të mirë, ata me të cilët krenohemi, – dhe mos më thoni jo, – kanë funksionuar si “privatë” në një sistem që na është thënë se është shtetëror. Por a ka operacion zemre, truri, pankreasi po të doni, që të jetë gjëkundi falas?

Sistemi ynë shëndetësor, pa kosto shërbimesh spitalore, pa kontribute sigurimesh që të vlejnë për gjë, është thjesht një sistem allasojsh, ku i kërkojmë Edvin Priftit dhe të singjashmëve të tij, që të rrojnë me 700 mijë lekë të vjetra!🤦🏻‍♂️ Seriozisht besoni te shëndetësia falas?”

Të tjerë gazetarë dhe politikanë i kanë dalë në mbrojtje Edvin Priftit, ish shefit të kardiokirurgjisë. Të gjithë i bashkon një dakordësi për t‘ia “mirëkuptuar” në një formë apo tjetër korrupsionin, për të cilin ai akuzohet. Në fakt, vetë mjeku nuk e pranon se ka marrë ryshfet dhe është vetëdeklaruar i pafajshëm para gjykatës. Sipas tij, paratë që iu gjetën në shtëpi vijnë nga një pronë e shitur dhe arrestimi i tij ndodhi sepse “jemi në fushatë elektorale”, por pasi është njohur me provat, as gjykata nuk e besoi./Lapsi.al

Share: