Home Gjeo-Ekonomia Biden kërkon nga Vuçiç njohjen e Kosovës, Hoti: Kur i ke miqtë...

Biden kërkon nga Vuçiç njohjen e Kosovës, Hoti: Kur i ke miqtë e fortë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një letre i ka kërkuar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të njohë Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur.

Mediat serbe kanë publikuar letrën mëngjesin e kësaj të diele, ku Biden i uron Vuçiç, ditën kombëtare të Shtetësisë së Serbisë më 15 shkurt edhe i ka bërë kërkesën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet të njohja reciproke.

Gjithashtu në letër Biden ka theksuar se SHBA-ja ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Serbinë, në rrugëtimin e saj drejt BE, si dhe ka vlerësuar bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Serbisë në këto kohë të vështira të COVID-19.

Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj të tjerë ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë. Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike.

Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke.

Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19 ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale”, ka shkruar Biden në letrën e tij.

Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti. “Kur i ke miqtë e fortë … vera te dera. Ju kam paralajmëruar! Faleminderit President Biden!”, shkruan Hoti në Facebook./Opinion.al

Share: