Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbylli të mërkurën hetimin gjyqësor për ankimin e gjyqtarit Alaudin Malaj për vendimin e KPK-së që ka pranuar dorëheqjen e tij nga sistemi i drejtësisë.
Nga Besar Likmeta | BIRN
Ish kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë i kërkoi të mërkurën Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ta pezullonte gjykimin dhe të dërgonte për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin Nr.84/2016 “Për Rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëvë dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Sipas Malajt ky ligj nuk parashikonte mundësinë për të kërkuar zëvendësimin e anëtarit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, që subjekti pretendoi se ishte shfaqur i njëanshëm gjatë rivlerësimit të tij.
Kërkesa e Malajt pasi u shqyrtuar nga KPA në dhomë këshillimi u hodh poshtë me vendim të ndërmjetëm.
“Ligji rivlerësimit nuk bien ndesh me kushtetutën,” deklaroi kryesuesja e trupës gjykuese Rezarta Schuetz.
Malaj dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në verën e vitit të kaluar. Më 15 shtator, kërkesa e tij për dorëheqje u pranua nga KPK, e cila vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe përjashtimin e e subjektit për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.
Alaudin Malaj ka një karrierë të gjatë prej gati tre dekadash në sistemin e drejtësisë dhe para se të dorëhiqej mbante pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Me një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë euro ai konsiderohej si një nga gjyqtarët më të pasur në vend.
Seanca për pretendimet përfundimtare u caktua nga Kolegji me datë 23 shkurt ora 9:00.