Tre punonjës policie në Fier janë pezulluar nga detyra me urdhër të drejtorit për shkak se akuzohen se lejuan gazetarët që të pyesnin dhe bisedonin me 36 vjeçarin Saimir Meçani, i cili doli sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë arrest me burg me akuzën e përdhunimit të “gjyshes” së tij, 89-vjeçe.
Policia thotë se në përfundim të seancës për masën e sigurisë, punonjësit e policisë në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin Saimir Meçanin brenda automjetit të policisë.
“Gjatë paradites së sotme, Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Komisariatit Lushnjë ka shoqëruar për masë sigurie në Gjykatë, shtetasin Saimir Meçani i cili dy ditë më parë dyshohet se ka dhunuar dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me gjyshen e tij.
Në përfundim të marrjes së masës së sigurisë, punonjësit e Policisë që ishin të planëzuar me shërbim për shoqërimin e 36-vjeçarit, në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin shtetasin e ndaluar brenda automjetit të Policisë.
Në lidhje me këtë shkelje, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve T. K., F. G. dhe G. Ç., për shkeljen e kryer.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj këtyre punonjësve, për shkelje të rëndë” thuhet në njoftimin e polcisië. Saimir Meçani akuzohet për “Dhunë në familje” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për tu mbrojtur”.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës. E moshuara ka qenë e vetme ne shtëpi kur u dhunua nga 36 vjeçari, i cili ishte ne gjendje te dehur. Saimir Meçani nuk ka lidhje gjaku me të moshuarën, pasi nusja e djalit te saj e ka këtë fëmijë nga një martesë e mëparshme, por ka qenë e moshuara që e ka rritur. Të afërm të 36-vjeçarit Saimir Meçani thanë se ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar më parë edhe në Greqi për këto dy vepra penale. /db/ Abcnews.al