Home KRYESORE Parlamenti Evropian: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Parlamenti Evropian: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Me 50 vota pro, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikën e jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar raportin, përmes të cilit iu bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në komunikatën e dhënë nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështet Kosovën në rrugën europiane. Ne shohim potencialin e këtij vendi, por ka ende punë përpara”.Në raport, Kosova kritikohet me mungesa të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të axhendës së reformave europiane.

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet kuadri ligjor dhe procesi i formimit të qeverisë./Opinion.al

Share: