Home KRYESORE Rama sfidon ambasadoren Yuri Kim për “kriminelët” në zgjedhje

Rama sfidon ambasadoren Yuri Kim për “kriminelët” në zgjedhje

Kryeministri shqiptar deklaroi se ai nuk e ndjen veten përgjegjës në rastet kur kandidatë të partisë së tij rezultojnë me të shkuar penale ndërsa kritikoi ligjin e dekriminalizimit të politikës si unik në Europë.

Nga Gjergj Erebara | BIRN

Kryeministri Edi Rama refuzoi prerazi kërkesën e ambasadores së Shteteve të Bashkaura Yuri Kim për kontrollimin dhe moskandidimin e personave me të shkuar kriminale në zgjedhje duke argumentuar se nuk është detyrë e kryetarëve të partive të bëjnë një punë të tillë. Rama kritikoi më tutje ligjin “për pastërtinë e figurës” dhe denigroi procesin hetimor që niset nga ky ligj mbi të shkuarën e politikanëve të dyshimtë duke e konsideruar atë “zgafellë dokumentesh.”

“Unë s’kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time,” deklaroi Rama.

“Nuk e kuptoj dot akoma, 30 vjet pasi e kem i zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’i kërkohet partive politike e kryetarit të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri del se ka gënjyer, se kuptoj ca duhet të bëj unë e një parti politike në Shqipëri, si të penetrojë nëpër zgafellat e dokumenteve që bota i ka të mbyllura, se s’ka në Evropë një ligj si ky?” pyeti ai në mënyrë retorike.

Rama sugjeroi më tutje se ligji i dekriminalizimit mund të përbëjë shkelje të të drejtave kushtetuese të politikanëve me të shkuar penale.

Ambasadorja Yuri Kim deklaroi pak ditë më parë se ajo pret që udhëheqësit politikë të kontrollojnë hollësishëm kandidatët që emërojnë.

“Ashtu siç kemi punuar me sistemin e drejtësisë, për të kontrolluar integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po u kërkojmë udhëheqësve politikë të kontrollojnë – kontrollojnë hollësishëm – kandidatët për poste publike,” deklaroi Yuri Kim më 29 janar, një mesazh që e theksoi në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile pak ditë më vonë.

Shqipëria miratoi në vitin 2016 një ligj special përmes të cilit ndaloi kandidimin e personave që janë dënuar për krime të rënda ndërsa detyroi të gjithë të tjerët të deklarojnë të gjitha problemet që kanë pasur me drejtësinë, nën kërcënimin që, nëse nuk i deklaron problemet, humbet mandatin. Ligji në fjalë u miratua pas presioneve të mëdha të faktorit ndërkombëtar, në veçanti Shteteve të Bashkuara, ndaj Ramës.

Që nga miratimi i këtij ligji, një numër kryetarësh bashkish dhe deputetësh, kryesisht socialistë, janë djegur nga ky proces pavarësisht se kryeministri Rama ka treguar gjithmonë gadishmërinë për t’i dalë në krah personave të tillë.

Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të 25 prillit dhe vëmendja është kthyer edhe një herë te rreziku i penetrimit të politikës nga elementë të krimit të organizuar apo të përdorimit të krimit nga politika për llogari të kërcënimit të votuesve apo blerjes së votave.

Rama ka qenë veçanërisht nën presion nga ndërkombëtarët për shkak se partia e tij gjatë tetë viteve të fundit ka numëruar mes radhëve të veta trafikantë droge dhe qenies njerëzore./Birn Albania

Share: