Home KRYESORE Rasti “Tirja”,flet vajza e pacientes së ndjerë:Sikur e humba mamanë sërish

Rasti “Tirja”,flet vajza e pacientes së ndjerë:Sikur e humba mamanë sërish

Një ditë më parë emisioni Stop në Tv Klan publikoi mesazhet e pacientes që humbi jetën nga koronavirusi tek Sanatoriumi, ku i lutej dhe përgjërohej sanitares Tire Alldërvishi që t’i jepte bukë dhe ujë.

Tire Alldërvishi është tashmë e arrestuar pasi u dënoncua nga Stop disa javë më parë që i zhvati 8 milionë lekë të vjetra vajzës së pacientes, me pretendimin se do t’i shërbente në spital por që nuk e bëri kurrë.

Në denoncimin e mbrëmshëm, Stop i bëri thirrje autoriteteve dhe prokurorit të çështjes së Tire Alldërvishit që të zgjerojë hetimet edhe tek mjekët dhe infermierët e katit ku ndodhej e shtruar pacientja në muajin Dhjetor 2020, përse nuk i ka shërbyer askush.

Pas publikimit të këtyre mesazheve rrëqethëse, ka reaguar vajza e së pacientes së ndjerë, e cila ka thënë për emisionin Stop se babai dhe dy motrat e tjera janë në gjendje shumë të rënda. Ajo thotë se mesazhet që ka gjetur në celularin e nënës kanë qenë një përjetim shumë i madh për të.

Vajza e pacientes së ndjerë: Telefoni i mamit ka qenë i mbyllur deri para 3 ditësh ose 4 ditësh, nuk kisha zemër të hapja telefonin. Në momentin që unë kam hapur telefonin, kam përjetuar sikur e humba mamanë time për herë të dytë. Atë lloj dhimbje pasi vërtetova dhe shumë fakte të reja, shumë mesazhe të reja që mami im komunikonte dhe unë nuk i dija. Një dhimbje shumë e madhe ishte edhe komunikimi që ajo bënte gjatë gjithë kohës me babain tim, edhe pse të dy të sëmurë. Babai i paralizuar, mami në atë gjendje, i shprehnin dashuri njëri-tjetrit, dhe pse babi ishte shumë rëndë, mami e shikon situatën shumë të vështirë dhe i kërkon edhe babit ndihmë për lekë. Kam parë të gjithë komunikimet e mamit në ËhatsApp me tezet, kushërirat, me këdo që ajo fliste dhe në çdo komunikim me të gjithë njerëzit bëhej biseda vetëm për lekë. Dhe mami im iu thoshte ju lutem ndihmoni Anin, jepini lekë Anit, po i përjeton goca, po kalon goca në depresion, i qëndroni Anit afër. Tezet i mia i thonin çfarë t’ju sjell për të ngrënë, mami im thoshte vetëm jepini Anit lekë që të dalë e gjallë nga këtu. Kam shumë mesazhe që mami im i thotë tezeve të mia ‘a ma premtoni që unë do dal e gjallë dhe do të ha për Vit të Ri bashkë me ju’?

Unë kam përjetuar një humbje të dytë në ato mesazhe, një dhimbje akoma më të madhe. Dhimbja më e madhe ishte dje, mamaja ime bëri 40 ditë që kishte vdekur. Përjetimi më i tmerrshëm ka qenë kur unë i kam mbushur varrin me lule. Ka qenë momenti më i vështirë. Kjo dhimbje sa vjen dhe shtohet akoma më shumë tek unë. Babai im ka qenë shumë i sëmurë para humbjes së mamit, tani është akoma më shumë. Është rënduar shumë nga ana psikologjike. Ka kaluar një depresion shumë të thellë. Gjatë gjithë kohës vetëm qan. Nuk shikojmë dot asnjë lloj gjëje, mundohem të heq fotot, mundohem të heq çdo gjë që kam në shtëpi… Është e pamundur pasi atij i kujtohet çdo lloj gjëje dhe është gjatë gjithë kohës duke qarë. Nuk po i bëjnë më efekt as ilaçet që merrte dhe përjetimi është shumë i rëndë. Kam thënë që motra ime e madhe është 34 vjeçe. Unë jam 31 dhe motra e vogël është 22 vjeçe. Motra e vogël kishte momente që kishte nevojë më shumë se të gjithë për mamin. Ajo sot është rënduar shumë nga ana psikologjike.

Pavarësisht denoncimit të këtyre fakteve, ajo thotë se nuk është kontaktuar ende sot e kësaj dite nga prokurori që po heton çështjen e Tire Alldërvishit.

Vajza e pacientes së ndjerëDeri në këto momente që po flasim nuk kam pasur asnjë telefonatë, asnjë lloj informacioni, absolutisht asnjë lloj veprimi të vetëm, qoftë edhe një telefonatë që duhet të merrja telefonin mamit për provat e reja, për faktet e reja. Nuk kam pasur asnjë lloj telefonate. / Tv Klan

Share: