Home Gjeo-Ekonomia Goditja e Erdoganit kundër grave dhe komunitetit LGBTI

Goditja e Erdoganit kundër grave dhe komunitetit LGBTI

Pasi presidenti turk Erdogan u largua nga Konventa e Stambollit, vjen tani një shpjegim nga pallati presidencial: me këtë hap Turqia do të parandalojë “që homoseksualiteti të konsiderohet si diçka normale”.

Tërheqja e Turqisë nga Konventa e Stambollit erdhi papritur dhe u kritikua ashpër në mbarë botën. Marrëveshja e vitit 2011 synon të luftojë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje përmes normave detyruese ligjore. Pallati presidencial turk në një deklaratë shpjegoi arsyet për braktisjen e beftë të konventës: marrëveshja ishte detyruar nga një grup njerëzish “që nuk duan që homoseksualiteti të konsiderohet si diçka normale”. Homoseksualiteti është cënim i vlerave shoqërore dhe familjare të Turqisë, e argumentoi këtë hap drejtori i komunikimit të pallatit presidencial Fahrettin Altun.

Po ndjekim shembullin e vendeve të tjera, thuhet në deklaratë. “Gjashtë anëtarë të Bashkimit Evropian (Bullgaria, Hungaria, Republika Çeke, Letonia, Lituania dhe Sllovakia) nuk e kanë ratifikuar konventën. Polonia madje ka ndërmarrë hapa për të dalë nga konventa, sepse Konventa e Stambollit është një përpjekje e komunitetit LGBT, për t’u imponuar idetë e tij gjinore të gjithë shoqërisë.”

Biden: Jam thellësisht i zhgënjyer

Pasi presidenti turk Erdogan njoftoi tërheqjen me dekret nga Konventa e Stambollit – ky hap u kritikua ashpër në të gjithë botën. Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme Josep Borrell u shpreh se Turqia po i dërgon një mesazh të rrezikshëm botës.

Presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen tha se konventa u ofron grave një kornizë të rëndësishme ligjore për t’i mbrojtur ato nga dhuna. “Unë jam thellësisht i zhgënjyer”, u shpreh presidenti i SHBA Joe Biden.

Në Turqi shumë organizata për të drejtat e grave u shprehën se vendimi i Erdoganit ështe “i pavlefshëm” dhe “i paligjshëm”. Kryetarja e Federatës së Shoqatave të Grave në Turqi, Canan Güllü, i tha DW se grave u është hequr e drejta për jetë dhe e drejta për një mjedis pa dhunë.

Përveç kësaj juristët turq kritikuan për faktin, se është e vështirë të tërhiqesh nga marrëveshjet ndërkombëtare – në mënyrë unilaterale, si në rastin e Erdoganit, është jashtëzakonisht e pazakontë.

Serap Yazici profesore e së drejtës kushtetuese thotë se në fakt ekzistojnë rregulla të qarta, nëse dëshiron të dalësh nga një marrëveshje ndërkombëtare. Është e domosdoshme, që parlamenti turk së pari ta përgatisë përmes një ligji daljen nga Konventa e Stambollit. Atëherë hyn në fuqi një ligj, që do t’i lejonte ekzekutivit t’i japë fund një marrëveshjeje ndërkombëtare. Gjithashtu gratë mund të paraqesin padi individuale për të zhbërë daljen nga konventa, shpjegon Yazici. “Të gjitha gratë mund të japin kontributin e tyre. Unë i ftoj të gjitha gratë të paraqesin një procedurë anulimi”.

Organizata e të drejtave të gruas dorëzon padi

Padia e parë konkrete kundër largimit erdhi nga Shoqata për Gratë dhe Fëmijët, që e cilësoi hapin e presidentit turk si të pavlefshëm. Në procedurën e anulimit, që u dërgua në Këshillin Shtetëror, thuhet se “Turqia ka nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare, që ka hyrë në fuqi dhe si rezultat nuk mund të kthehet me një vendim presidencial”.

Fakti që presidenti turk del nga marrëveshja për mbrojtjen e grave ka hasur në moskuptim në një pjesë të madhe të opinionit publik turk, sepse në Turqi ndodhin rregullisht vrasje mizore të grave. Sipas shifrave të organizatës “Ne do të ndalojmë vrasjen e grave” vitin e kaluar janë regjistruar 300 vrasje të grave. Përveç kësaj 171 vdekje u klasifikuan si “të dyshimta”, ndër ta edhe gjoja vetëvrasje.

Konventa e Stambollit: E paefektshme edhe para largimit

Largimi nga Konventa e Stambollit është një tjetër goditje për aktivistët e të drejtave të grave. Shumë gra turke e shihnin marrëveshjen si shpresën e tyre të fundit. Sepse shtetet nënshkruese janë zotuar të krijojnë kornizën për të luftuar dhunën ndaj grave. Turqia e ratifikoi konventën pesë vjet më parë duke e përfshirë atë si ligj për parandalimin e dhunën ndaj grave dhe mbrojtjen e familjes. Por kritikët thonë se në praktikë normat ligjore të Konventës së Stambollit nuk zbatohen në Turqi. Prandaj edhe para largimit së saj Konventa e Stambollit nuk ka qenë në gjendje të parandalonte dhunën kundër grave./DW

Share: