Home KRYESORE Motive poezie nga Gladiola Busulla

Motive poezie nga Gladiola Busulla

Ibland

Ndonjëherë vjen dikush
dhe më mbështjell me etjen e tij.
Ibland…
Ndonjëherë pikturoj urën lidhëse,
midis tokës dhe qiellit.
Ibland…
Ndonjëherë, fjalët më djegin fytin.
Dhe hiri i tyre s’mjafton,
për të mposhtur gënjeshtrën.
Ibland…
Ndonjëherë shndërrohem në eliksir dashurie
dhe ëndrrat e të pashpresëve përmbushen.
Ibland…
Ndonjëherë bota ime kthehet përmbys
dhe marrëzia udhëheq betejat e shpirtit.
Ibland…
Ndonjëherë ditët janë parodia e jetës sime:
dinjitet, dhembje, egoizëm, pendim, ankth, dashuri.
Ibland…
Ndonjëherë ndihem sikur kam vdekur
dhe nëntokë, lulet çelin mbi gjoksin tim.
Ibland…
Ndonjëherë lutem në faltoret e shenjta
që lapsi i Zotit të rishkruajë fatin.
Ibland…
*ibland – ndonjëherë, në gjuhën suedeze

Dremitje

Dremis mbi kraharorin tënd.
Numëroj thesaret e humbura:
rrënoja puthjesh të mbytura,
dashuri të shkokëluara
kundërmime përqafimesh,
psherëtima të gjata si nata e Kirunës.
Graviteti më shtyn në thellësi të zemrës sate.
Në kindat e prekjeve
gurgullojnë oazat,
përndizen flakët e ferrit,
kumbojnë tingujt e orkestrës hyjnore.
Gishtërinjtë i zhys në shkretëtirë
dhe emrin tënd e shkruaj me ujë mirazhesh.

Simfonia e dhembjes

Harresa është zbrazëtia e fjalës.
Nata drobitet…
duke gjurmuar një trup të ngrohtë.
Dita ka harruar të qeshë.
Një fllad aromësues,
puth buzët e vetmuara.
Ëndrrat ndryhen
brenda guackës së sedeftë.
Struken dhe fshihen
nga hijet e natës.
Ofshama dëshpëruese zanoresh,
rebelohen ndaj heshtjes kumbuese.
Cingërimat e shpirtit luajnë
simfoninë e dhembjes.

Shpirti

Shpirti përsiatet mbi oqeanet e kohës:
në kopshtet e varura të Babilonisë,
midis piramidave të Egjiptit,
përshëndet hënën e Saharasë,
diellin mbi Tenoktitlan
dhe aurorat boreale të Inarit.
Si mund të jetë fati,
kaq i brishtë?!
Ta shohësh, por mos të
shohë përtej teje?
Sytë nuk e zhveshin velin.
Shpirti endet në flakë të ndezura;
mbi gjurmë të pashlyeshme puthjesh,
në altarin e nostalgjisë,
ku mbrëmjet janë të buta,
dhe flaka e purpurt e qirinjve
vallëzon me ëndrrat.

Share: